Bardhi për amnistimin e Ballukut: SPAK u provua zyrtarisht se është nën kontrollin e Edi Ramës!

28 October 2026, 13:43Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Bardhi për amnistimin e Ballukut: SPAK u provua zyrtarisht se
Gazment Bardhi/ Belinda Balluku

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka akuzuar SPAK-un se po zbaton standarde të dyfishta në çështjen ndaj Belinda Ballukut.

Në një reagim publik, ai ngre pikëpyetje për faktin se, sipas tij, pas përfundimit të hetimeve, zbulimit të dy vilave dhe shtimit të akuzave për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie, nuk është paraqitur një kërkesë e re për autorizimin e Kuvendit për arrestimin e saj.

Bardhi pretendon se Prokuroria e Posaçme po vepron nën ndikimin politik të kryeministrit Edi Rama dhe të vetë Ballukut.

Ai kujton se në fazën e mëparshme të hetimit, kur Balluku akuzohej për shkelje të barazisë në tendera, SPAK kishte kërkuar autorizimin për arrestimin e saj, duke argumentuar rrezikun e prishjes së provave dhe ndikimit mbi dëshmitarët.

Sipas kreut të grupit parlamentar të PD-së, shtimi i akuzave duhet të shoqërohet me një shpjegim nga SPAK për arsyet pse nuk është kërkuar një autorizim i ri nga Kuvendi.

Bardhi kërkon që Prokuroria e Posaçme të sqarojë nëse ka ndryshuar vlerësimi i saj për nevojën e një mase arresti dhe pse, sipas tij, Balluku po trajtohet ndryshe nga persona të tjerë të hetuar për korrupsion apo pastrim parash. 

Në reagimin e tij, Bardhi e lidh këtë çështje edhe me procesin e integrimit europian, duke argumentuar se drejtësia selektive dhe pandëshkueshmëria e zyrtarëve të lartë bien ndesh me parimin se askush nuk duhet të jetë mbi ligjin.

Reagimi i plotë i Gazment Bardhit:

 “ME mbylljen e hetimeve për Belinda Ballukun, ME 2 vila të zbuluara, të fshehura prej saj, ME 5 akuza të reja për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie dhe PA kërkesë për heqjen e imunitetit për arrestimin e saj, SPAK u provua se është zyrtarisht nën kontrollin e Edi Ramës dhe Belinda Ballukut.

 
Me pozicionimin kundër ligjit dhe pro interesit politik të dyshes më të korruptuar në vend, SPAK duhet t’u shpjegojë sot shqiptarëve pse ligji po zbatohet ndryshe për Belinda Ballukun. Pse në Shqipërinë e SPAK-ut të Edi Ramës, Belinda Balluku është më e barabartë se të tjerët? Kur ajo akuzohej për shkelje të barazisë në tendera, SPAK kërkoi arrestimin e saj, duke argumentuar rrezikun e prishjes së provave dhe ndikimit mbi dëshmitarët.

Sot, kur mbi të rëndojnë edhe katër akuza të tjera, përfshirë korrupsionin, SPAK hesht.

Pse?

Çfarë ka ndryshuar? Pse nuk u kërkua sërish autorizimi i Kuvendit? Pse Belinda Balluku duhet të trajtohet ndryshe nga të pandehur të tjerë për korrupsion apo pastrim parash, ndaj të cilëve janë kërkuar dhe zbatuar masa arresti? SPAK u detyrohet shqiptarëve t’u thotë pse për Belinda Ballukun zbatoi një standard të ndryshëm nga të tjerët. Cili është pakti që ka bërë me Edi Ramën? Edhe sa ministra kërkon që të caktojë SPAK-u në qeverinë e Edi Ramës për të ndarë së bashku pushtetin e korruptuar?

Shqipëria nuk mund të ndërtojë të ardhmen e saj europiane mbi drejtësinë selektive dhe pandëshkueshmërinë e pushtetit. Integrimi europian nuk është vetëm mbyllje kapitujsh negociatash. Është garancia se askush nuk qëndron mbi ligjin. Sot, kësaj garancie i janë vënë minat nga Edi Rama, Belinda Balluku dhe nga bashkëpunëtorët e tyre në SPAK.”


Video