
Pjesëmarrje rekord prej 77% është shënuar në zgjedhjet e 26-ta parlamentare (të Knessetit) në Izrael, që u zhvilluan dje.
600 mijë votat e "zarfit të dyfishtë", të rezervuara për personelin ushtarak, rezervistët, diplomatët, të burgosurit, pacientët e shtruar në spital dhe të tjerët që nuk mund të votojnë në qendrat e tyre të votimit, do të jenë vendimtare.
Sipas mediave të huaja, këto vota do të numërohen më vonë, si dhe ato të fituara nga "Lista e Përbashkët", grupi i fraksioneve arabe.
Gara është e ngushtë mes 2 blloqeve të partive, atyre të djathta, të udhëhequra nga kryeministri Benjamin Netanyahu dhe palës opozitare, koalicionit të udhëhequr nga Gadi Eisenkot.
Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, blloku i udhëhequr nga Netanyahu dhe partia Likud, sipas projeksionit të deritanishëm kur janë numëruar 57% të votave, kryeson me 55 vende në Parlament, kundrejt 49 vendeve të palës opozitare.
Ndërkohë surprizues ka qenë edhe rezultati i partive arabo-izraelite, të cilat sipas projeksionit, arrijnë në 16 mandate.
Deri më tani asnjë prej palëve nuk arrin të formojë dot qeverinë e vetme, ndërkohë mbetet për t’u parë krahu që do të mbajnë partitë arabo-izraelite.
Kryeopozitari Eisenkot kishte një mesazh të drejtpërdrejtë për Netanyahun, të cilit i kërkoi dorëheqjen.
"Një udhëheqës i denjë do të kishte dhënë dorëheqjen", tha Eisenkot drejtuar Netanyahut.
Nga ana tjetër Netanyahu ka nisur festimet, por në të njëjtën kohë thotë se po pret rezultatet përfundimtare.
Për Presidentin amerikan Donald Trump, epërsia e Netanyahut në zgjedhje lidhet me mbështetjen që ai i ka dhënë gjatë fushatës zgjedhore.
Exit Pollet para nisjes së numërimit të votave treguan se dy koalicionet ishin në barazim, por ndërsa numërimi vazhdoi, blloku i kryeministrit fitoi epërsinë.