Në zgjedhjet në Izrael nuk ka një fitues të qartë, sipas exit poll-eve të publikuara nga televizionet pas përfundimit të votimit.
As koalicioni i kryeministrit Benjamin Netanyahu dhe as blloku kryesor opozitar nuk kanë siguruar shumicën në parlament.
Sipas projeksioneve të para, blloku opozitar pritet të marrë 52-53 mandate, ndërsa kampi i Netanyahu-t 50 mandate. Ndërkohë, partitë arabe pritet të sigurojnë gjithsej 17-18 mandate.
Reagimi i opozitës
Gadi Eisenkot, kreu i partisë opozitare Yashar, tha se rezultatet e para tregojnë një “mungesë totale besimi te Netanyahu dhe qeveria e 7 tetorit”.
“Nëse këto janë rezultatet përfundimtare, atëherë kjo është një fitore për shumicën e moderuar sioniste në Izrael”, u shpreh ai në një deklaratë për televizionin Channel 12.
Eisenkot shtoi se do të veprojë menjëherë për të përmbushur vullnetin e qytetarëve, për të zëvendësuar qeverinë e Netanyahu-s dhe për të formuar sa më shpejt një qeveri sioniste të mobilizimit kombëtar.
Edhe Yair Golan, kreu i partisë Demokratët, deklaroi se votuesit izraelitë e kanë “refuzuar” qeverinë e Netanyahu-t.
“Na është dhënë një mundësi historike për të formuar një qeveri që sjell ndryshim të vërtetë në Izrael dhe nuk kemi ndërmend ta lëmë të na ikë nga duart”, shkroi Golan në rrjetet sociale.
Ai shtoi se partia e tij është e gatshme të bashkëpunojë me partnerët, të kapërcejë mosmarrëveshjet dhe të marrë përgjegjësitë e nevojshme.