Drejtësia e mohuar/ Gjykata Kushtetuese nuk mund të bëhet zgjatim i KPA-së!

28 October 2026, 14:48Politikë SHKRUAR NGA EDUARD HALIMI
Drejtësia e mohuar/ Gjykata Kushtetuese nuk mund të bëhet zgjatim
Eduard Halimi

“The truth is costly, fiction is cheap.” Y. N. Harari (Dhjetë vjet pas reformës në drejtësi, kapitulli i vettingut ka përfunduar. Gjykata Kushtetuese për vendimet e Strasburgut duhet të zbatojë Kushtetutën dhe jo të zgjasë një regjim të jashtëzakonshëm që e ka përmbushur afatin e vet dhe as të krijojë një tjetër)

Janë të paktën gjashtë magjistratë, gjyqtarë dhe prokurorë, të larguar nga sistemi i drejtësisë përmes një procesi rivlerësimi, në të cilin Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut ka konstatuar shkelje të Konventës. Sot ata presin që Gjykata Kushtetuese të shqyrtojë çështjet e tyre dhe t’u japë mundësinë të rikthehen në të drejtat e cenuara, përfshirë rikthimin në detyrë.

Presin ata. Presin familjet e tyre. Kur kanë kaluar muaj dhe ende asgjë!

Të jesh gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese është një privilegj i madh. Një nga majat e karrierës që mund të ëndërrojë një jurist. Por të arrish atë majë është njëra anë. Ta mbash me dinjitet, pavarësi dhe kurajë është padyshim pjesa më e vështirë.

E them këtë sepse, dhjetë vjet më pas, nuk mund të mos kujtoj zhgënjimin tim me disa prej ish-gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, që atëherë rrëzuan kundërshtimet tona ndaj ligjeve të miratuara njëanshëm. Kundërshtime që kishin të bënin pikërisht me standardet e procesit të rregullt, pavarësinë e organeve të rivlerësimit dhe rrezikun e shndërrimit të një mekanizmi të jashtëzakonshëm në instrument selektiv politik (shih qëndrimet e mia të mbajtura 10 vjet më pare)

Isha ndër ata që kundërshtuan fort këtë eksperiment social-juridik, të paprecedentë në përmasat dhe mënyrën e zbatimit të tij. Një eksperiment që Bashkimi Europian e mbështeti fuqimisht në Shqipëri, por që nuk e ka zbatuar në të njëjtën formë në asnjë nga vendet e tij anëtare apo kandidate për antarësim.

Kundërshtova që gjyqtarë e prokurorë me dekada përvojë të gjykoheshin nga njerëz që, në disa raste, nuk kishin as përvojën minimale të ushtrimit të funksionit gjyqësor. Kundërshtova standardet e dyfishta, barrën e përmbysur të provës, mungesën e garancive të mjaftueshme procedurale dhe rrezikun e ndërhyrjes politike.

Kundërshtova çdo rol të ekspertëve ndërkombëtarë që dilte përtej monitorimit dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe rrezikonte të prekte pavarësinë e vendimmarrjes. Prania e tyre në proces, përfshirë çështjet që lidhen me dhomën e këshillimit, meritonte dhe meriton një debat serioz mbi kufijtë e ndërhyrjes dhe garancitë e nenit 6 të Konventës.

Ua thashë hapur edhe atëherë ish-gjyqtarëve kushtetues por ata pranuan kokëulur dhe të kompleksuar gjykimin nga një trupë që në shumicë ishin mediokër, të lidhur ngushtë me administratën politike dhe të heroizuar për propagandë. Disa prej atyre ish gjyqtarëve kushtetues menduan se ky proces nuk do t’i prekte kurrë. Se ishte për të tjerët.

Por historia ka ironitë e saj. Më vonë, disa prej atyre që kishin rrëzuar kundërshtimet e mia u gjendën vetë përpara Strasburgut, duke ngritur shqetësime për standardet e procesit të rivlerësimit.

Nuk e them këtë me kënaqësi. Përkundrazi. E them me keqardhje për atë që mund të ishte shmangur.

Për lexuesit më të rinj mjafton të shohin në internet se si n/kryetar i procesit parlamentar të reformës, kam mbajtur qëndrime të forta kundër disa prej zgjidhjeve të saj, kam kërkuar dy herë mendimin e Komisionit të Venecias, kam kundërshtuar ligjet përkatëse edhe përpara Gjykatës Kushtetuese, me firmën time.

E kam bërë publikisht, në komisione parlamentare, konferenca shtypi dhe dhjetëra shkrime, edhe kur shumë pak njerëz donin të dëgjonin dhe as të më mbështetsnin. Përvec bashkepuntorëve të mij të ngushtë atëhere kur zgjodhëm të thonim të vërtetën publikisht.

“The truth is costly, fiction is cheap.” Thotë në një interviste të fundit Y. N.Harari Ka të drejtë. E vërteta ka kosto. 

Të bësh kompromis me atë që beson se është e gabuar është gjithmonë më e lehtë sesa ta kundërshtosh. Dhe unë morra kostot e mia 10 vjet më parë. Edhe pse kundërshtova shumë prej zgjidhjeve të tij, nuk arritëm t’i bindnim njerëzit as parandalonim gabimet, as të bindnim ish antarët e Gjykatës Kushtetuese as trupën e gjithë gjyqtareve e prokuroreve dhe as qytetaret. Te thuash qe paralajmerova nuk mjafton. Ndaj zgjodha lirinë time, të jem avokat, të flas e të shkruaj pa kompromis, ashtu siç kam bërë gjatë këtyre viteve larg politikës.

E di që u zgjata pak me historitë në këtë hyrje, dhe qëllimi im në këtë shkrim nuk është të flas për veten, por dua të them se njerëzit nuk sundohen vetëm nga ligjet, por edhe nga historitë që i tregojnë vetes dhe të tjerëve thënë kjo dhe sa e rëndësishme është detyra që ka një antar i GJK të zbatojë pa vonesë dhe në mënyrë përfundimtare vendimet e GJEDNJ për gjashtë magjistratët aktualë dhe të tjerë që do të vijnë pas tyre, dhe cila është historia e paraardhësve të tyre.

Kështu për tu rikthyer tek qëllimi i këtij shkrimi, nga informacionet që kam, ka një dileme të pakuptueshme brenda Gjykatës Kushtetuese rreth dy çështjeve që, për mua, janë thelbësore të informohet publiku me trasparencë por dhe te analizohen zgjidhje.

E para, cila duhet të jetë natyra e shqyrtimit të çështjeve që vijnë pas vendimeve të GJEDNJ-së?

E dyta, a mund të vazhdojë të zbatohet regjimi i posaçëm i Aneksit të Kushtetutës edhe pas përfundimit të mandatit të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit?

Pra e thënë ndryshe dilemma e tyre është nëse do i gjykojnë si Gjykatë Kushtetuese apo zgjatim I KPA?
Madje kam dëgjuar se diskutohet edhe mundësia e përfshirjes sërish të ekspertëve të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit. Uroj të mos jetë e vërtetë. Nëse është, atëherë kemi një problem edhe më serioz sepse më kthen tek hyrja e gjatë e këtij shkrimi.

Lidhur me pikën e pare:

Ne i kemi emëruar anëtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe paguajmë rrogat e tyre me taksat tona që të jenë gjyqtarë kushtetues, jo zgjatim i KPA-së. KPA e përfundoi mandatin e vet. Historia e mekanizmit të jashtëzakonshëm të rivlerësimit duhet të marrë fund. Nuk mund të krijojmë një KPA të re brenda Gjykatës Kushtetuese!

Kur u vendos përfshirja e ekspertëve ndërkombëtarë në procesin e vettingut, qëllimi ishte të krijoheshin garanci shtesë kundër ndikimit politik dhe në mbrojtje të standardeve të të drejtave të njeriut sepse KPA ishte qartazi politike. Unë dua të besoj se GJK nuk e ka këtë problem që kishte KPA. Nese ndonje antar i GJK mendon të kunderten apo kompleksohet sic u komplkesuan parardhësit e tyre, kjo justifikon hyrjen time të gjatë.

Bashkë me KPA edhe OMN perfundoi funksionin e vet. Mirë apo keq nuk dua të zgjatem sot me këtë analizë sepse nuk me interesojnë emrat e tyre. EU4Justice (misioni i BE per mbeshtetjen e reformes,) duhet të vijoje, është i domosdoshëm dhe ka mbështetejen maksimale, ndersa OMN jo. Ndaj të mos e përdorim Kushtetutën si justifikim.

Lidhur me pikën e dytë, Aneksin Kushtetutes.

Po e them qarte dhe pa ekuivok edhe si bashkëhartues apo bashkëvotues (quajeni si të doni ) i ketij neni: Aneksi Kushtetues, i njohur si neni 179/b ka përfunduar diten kur KPA u mbyll dhe antarët shkuan në Apel.

Procesi i vettingut ishte kalimtar dhe nuk mund të bëhet i përhershëm. Neni 179/b dhe Aneksi i Kushtetutës u miratuan si dispozita kalimtare. Kjo nuk është çështje interpretimi politik. Është vetë natyra e tyre kushtetuese. Qëllimi ishte krijimi i një mekanizmi të posaçëm, për një periudhë të kufizuar, për rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Pika 8 e nenit 179/b parashikon kalimin e kompetencës për çështjet përkatëse te Gjykata Kushtetuese pas përfundimit të mandatit të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit. Ndërsa pika 9 parashikon se :

“Kuvendi vendos për shfuqizimin e këtij Aneksi pasi vendimi i fundit të ketë marrë formë të prerë, si dhe mbi bazën e raportit të paraqitur nga Kryetari i Apelimit mbi gjendjen e çështjeve të papërfunduara, ose kur përfundon mandati i Kolegjit të Posaçëm të Kualifikimit.”

Kalimi i kompetencës nuk do të thotë trashëgimi automatike e të gjithë regjimit të jashtëzakonshëm të vettingut.

Kompetenca është njëra anë dhe nuk diskutohet. Natyra e shqyrtimit është tjetër. Gjykata Kushtetuese nuk mund të shndërrohet në një organ që riprodhon mekanikisht standardet, kufizimet dhe mënyrën e funksionimit të një organi të posaçëm, mandati i të cilit ka përfunduar.

Formulimi ne fakt nuk është fare i rastësishëm. Ai e lidh jetën e regjimit të jashtëzakonshëm me afatin e organit që e zbatoi. Kufizimet e barrës së provës, të standardit të justifikimit dhe të garancive procedurale u pranuan vetëm për aq kohë sa ishin të përkohshme dhe proporcionale me qëllimin e krijimit të besimit publik (qe nuk ndodhi fare). Ato nuk mund të bëhen të përhershme. Në një shtet të së drejtës, kufizimet e të drejtave themelore duhet të jenë të domosdoshme, proporcionale dhe të kufizuara në kohë. Këtë kërkon edhe neni 17 i Kushtetutës. 

Përjashtimi nuk mund të bëhet rregull. Madje do e fuste procesin ne nje rreth cicioz, pasi nese ndonje nga keta te 6 do dështonte të kalonte do të shkonte serish ne GJEDNJ dhe serish kjo e fundit mund ta rikthente ne GJK, dhe me gjasa kjo histori nuk do përfundonte ndoshta deri ne fund të jetës së tyre profesionale.

Mungesa e një vendimi formal të Kuvendit për shfuqizimin e Aneksit nuk mund të shërbejë si justifikim për ta zgjatur pafundësisht.

Por përveç sa them unë le të shohim se çfarë thotë Strasburgu:

Vendimet e GJEDNJ-së të 23 qershorit 2026 në çështjet Osmani kundër Shqipërisë, Elezi kundër Shqipërisë dhe Kadana kundër Shqipërisë kanë rëndësi të veçantë.

Në këto vendime janë konstatuar shkelje të Konventës, përkatësisht të nenit 8 në çështjet Osmani dhe Elezi dhe të nenit 6 në çështjen Kadana, lidhur me kërkesën për një gjykatë të krijuar me ligj.
Strasburgu ka identifikuar rihapjen dhe rishqyrtimin e procedurave, me kërkesë të aplikantëve, si një rrugë të përshtatshme për riparimin e shkeljeve.

Sigurisht, GJEDNJ nuk ka urdhëruar rikthimin automatik në detyrë të çdo magjistrati. Por ka kërkuar që shkeljet e konstatuara të marrin një përgjigje reale dhe efektive nga sistemi kombëtar.
Dhe këtu lind pyetja:

Si mund të riparohet një shkelje e konstatuar nga Strasburgu, nëse Gjykata Kushtetuese do të përsërisë mekanikisht të njëjtin proces dhe të njëjtat standarde që prodhuan shkeljen?

Rihapja pra qartazi nuk mund të jetë një formalitet. Ajo duhet të garantojë një shqyrtim të vërtetë, të pavarur dhe efektiv, në përputhje me standardet e Konventës dhe me natyrën e shkeljes së konstatuar.

Po nëse Kuvendi nuk vepron, cilat janë rrugët?

Sikur Kuvendi të mblidhej dhe të përmbushte detyrimin kushtetues për shfuqizimin formal të Aneksit të vettingut, diskutimi ynë do të përfundonte këtu.

Por çfarë ndodh nëse Kuvendi nuk e bën këtë?

Nëse tensionet politike, situata e krijuar apo kompleksi i bashkimit të votave të shumicës me opozitën e pengojnë parlamentin të marrë një vendim që duhej ta kishte marrë?

A duhet që gjashtë magjistratë, të cilëve Gjykata e Strasburgut u ka konstatuar shkelje të të drejtave, të vazhdojnë të presin?

A mund të mbeten vendimet e GJEDNJ-së pa zbatim efektiv vetëm sepse Kuvendi nuk arrin të votojë?

Dhe, mbi të gjitha, a mund të shndërrohet mosveprimi i politikës në arsye që Gjykata Kushtetuese të vazhdojë të zbatojë një regjim të jashtëzakonshëm, mandati institucional i të cilit ka përfunduar?

Përgjigjja ime është jo.

Kushtetuta dhe Konventa Europiane për të Drejtat e Njeriut ofrojnë mekanizma që duhen vënë në lëvizje dhe po permend vetem 3 të paktën

1. Interpretimi kushtetues (neni 124) – Gjykata Kushtetuese, në shqyrtimin e çështjeve konkrete, duhet të përcaktojë kufijtë e efekteve të Aneksit pas përfundimit të mandatit të KPA-së dhe të garantojë standardet e plota të gjykimit kushtetues, kjo mund të bëhet kryesisht apo me kërkesë të subjekteve që mund të legjitimohen.

2. Kontrolli i mosveprimit parlamentar (neni 179/b) – Nëse Kuvendi nuk vepron, edhe pas vënies në dijeni, mund të shtrohet çështja e mosveprimit kushtetues, përmes një procedure të pranueshme dhe nga subjektet e legjitimuara.

3. Zbatimi i drejteperdrejte i KEDNJ dhe vendimeve të Strasburgut (neni 46 i KEDNJ-së) – Shqipëria është e detyruar të zbatojë vendimet përfundimtare të GJEDNJ-së dhe të sigurojë, sipas rastit, rishqyrtimin e çështjeve dhe riparimin efektiv të shkeljeve të konstatuara.

Pra, rrugët juridike ekzistojnë. Ato nuk e zëvendësojnë detyrimin e Kuvendit për të vendosur mbi shfuqizimin formal të Aneksit, por as nuk lejojnë që mungesa e një vendimi parlamentar të përdoret si justifikim për të lënë pa mbrojtje të drejtat e individëve.

Por nëse politika nuk arrin të bashkojë votat, gjashtë magjistratët dhe jo vetëm ata nuk mund të mbeten peng i saj. Gjykata Kushtetuese duhet t’i shqyrtojë çështjet e tyre pa vonesë, të sigurojë zbatimin efektiv të vendimeve të Strasburgut dhe të mos e kthejë veten në zgjatim të KPA-së.
Gjykata Kushtetuese duhet t’u japë fund pritjes dhe të bëjë detyrën e saj. Jo të shpikë një vetting të ri.


Video