Berisha dhe Rama sulmojnë Arlind Qorin për protestat: Terrorizon qytetin me grusht çdo natë!

28 October 2026, 14:39Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Berisha dhe Rama sulmojnë Arlind Qorin për protestat: Terrorizon
Sali Berisha/ Arlind Qori/ Edi Rama

Kryeministri Edi Rama dhe kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, kanë drejtuar akuza ndaj kreut të Lëvizjes Bashkë, Arlind Qori, duke e përfshirë në debatet për protestat e studentëve dhe ato të zhvilluara në Tiranë.

Rama është rikthyer sot te protesta studentore e vitit 2018, duke e përdorur si shembull për rëndësinë e dialogut mes studentëve dhe qeverisë.

Në një reagim të tij, kryeministri akuzoi disa pedagogë, mes tyre Arlind Qorin, të cilin e cilësoi “neo-komunist”, se pengonin nisjen e dialogut me studentët, ashtu siç pretendon se kishte ndodhur edhe tetë vite më parë.

Sipas Ramës, pas protestës së vitit 2018, dialogu me studentët çoi në hartimin e Paktit për Universitetin.

Ai hodhi paralele mes asaj periudhe dhe situatës së sotme, duke kundërshtuar që dialogu të kushtëzohet me plotësimin paraprak të kërkesave të protestuesve.

“Si kryeministër, me dialog e koordinova përpjekjen e përbashkët me studentët për Paktin për Universitetin, pas protestës masive të vitit 2018. Edhe atëherë, u deshën disa javë që të niste dialogu, sepse edhe atëherë, po ata tipa të mbrapshtë mes pedagogëve tuaj, nga një Qor neo-komunist tek ca të verbër demokratikas, bashkë me të reja e të rinj që u venin pas si ithtarët e idhujve të rremë, bënin po këtë punë që bëjnë sot: ‘S'ka dialog, plotëso pikat tona’”, deklaroi Rama.

Kryeministri u bëri thirrje studentëve që të ulen në bisedime me qeverinë, duke theksuar se është i gatshëm të diskutojë për kërkesat e tyre lidhur me universitetin dhe politikat qeveritare.

“Ejani të ulemi ku të doni e kur të doni për ato që mendoni se ne duhet të bëjmë më shumë dhe unë duhet të bëj më mirë, për ju, për universitetin dhe për Shqipërinë po të doni”, u shpreh Rama.

Në të njëjtën linjë sulmesh ndaj Arlind Qorit është pozicionuar edhe kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i cili gjatë një konference për mediat e akuzoi atë për tensione dhe dhunë gjatë protestave në kryeqytet.

Berisha pretendoi se persona të lidhur me Qorin kanë provokuar përplasje dhe kanë ushtruar presion ndaj protestuesve, ndërsa vlerësoi rolin e PD-së në mbështetjen e lëvizjeve qytetare.

“Por ky ritual përsëritej çdo ditë në një kohë kur bandat e Qorrit të Ramës, Arlind Qorrit, terrorizonin qytetin me grusht çdo natë: ‘E viva, rroftë komunizmi!’”, deklaroi Berisha.

Ai pretendoi gjithashtu se PD-ja kishte mbështetur protestat pa imponuar simbolet e saj politike, duke e cilësuar këtë qëndrim si respekt për karakterin rinor dhe qytetar të lëvizjes.

“E vetmja forcë politike, ua them unë ju këtu, që e mbështeti atë lëvizje me të gjitha fuqitë e saj pa asnjë simbol të vetin, ishte PD-ja”, tha Berisha./VoxNews


Video