
Gjashtë muaj pas arrestimit të tij, Ervin Mata mësohet se ka tentuar që të pengojë për herë të dytë ekstradimin e tij nga Brazili në drejtim të Shqipërisë, duke u ankuar në Gjykatën Supreme të Brazilit. Mirëpo, gazetari i Euronews, Thimi Samarxhiu, mëson se gjykata ka refuzuar që të shqyrtojë ankimin e dytë të “Bolit të kokainës”.
Në vendimin e marrë nga trupi gjykues me relator ministrin Alexandre de Moraes, para tetë ditësh, gjykata ka arsyetuar se mbrojtja nuk ka paraqitur argumente të mjaftueshme për të vënë në dyshim vendimin e mëparshëm të marrë në mesin e shtatorit, kur Gjykata e Brazilit miratoi ekstradimin e tij.
Nga ana tjetër, avokatët e Ervin Matës mësohet se kanë ngritur pretendime që lidhen me kërkesën për azil në Brazil, një hetim policor në këtë shtet, si dhe me kompetencën juridiksionale të autoriteteve shqiptare.
Në këto rrethana, vendimi i marrë më 20 tetor të këtij viti, shënon përfundimin e fazës së kundërshtimeve gjyqësore të trajtuara deri më tani. Ndërsa pritet që të realizohet ekstradimi i Ervin Matës drejt Shqipërisë që lidhet ngushtësisht me përmbushjen e procedurave të tjera të kërkuara nga autoritetet braziliane.
Më herët, Gjykata Supreme Federale kishte miratuar kërkesën e Shqipërisë për ekstradimin e Ervin Matës. Pavarësisht rrethanave, vendimi përfundimtar për dorëzimin e tij nuk varet vetëm nga procedura gjyqësore, pasi kërkohet edhe vlerësimi i Presidentit të Brazilit.
“Boli” siç njihet ndryshe është një emër i njohur për drejtësinë shqiptare, i lidhur prej vitesh me hetime për krim të organizuar dhe trafik narkotikësh. Emri i tij u bë i njohur për publikun pas ngjarjes së rëndë të vitit 2018 në zonën e ish-Bllokut në Tiranë, ku gjatë një përplasjeje me armë mes grupeve rivale kriminale humbi jetën Fabian Gaxha.
Sipas hetimeve të SPAK, Mata dyshohet si një nga organizatorët kryesorë të një rrjeti ndërkombëtar të trafikut të kokainës, që shtrihej nga Shqipëria drejt Amerikës së Jugut dhe disa vendeve të Bashkimit Europian.
Ervin Mata u shpall në kërkim në Nëntor 2023, pas 11 urdhër-arresteve të lëshuara nga Prokuroria e Posaçme, për një grup kriminal që vepron në trafikun e kokainës dhe hashashit nga Amerika Jugut, vrasjeve dhe pastrimit të parave.
Në muajt e parë të vitit 2023, media periferike raportuan se ish-partneri i këngëtares Elvana Gjata dhe një ndër personat e përfshirë në ngjarjen që mori emrin si "Masakra e ish-Bllokut", ishte zhdukur pa gjurmë në Bolivi. Mediat aluduan se disa muaj pas zhdukjes pa gjurmë së Ervis Martinaj, edhe Ervin Mata kishte pasur të njëjtin fat në Bolivi.
Mirëpo, hetimet, akuzat dhe bisedat e transkriptuara që SPAK ka siguruar nga autoritetet evropiane kanë nxjerr nga "strofulla" biznesmenin nga Tirana. Ervin Mata ishte pjesë me grupin e djalit të Erzen Breçanit dhe kishte komunikime të vazhdueshme në rrjetin e komunikimit “SKY”.
Menjëherë pasi ndaj tij u lëshua urdhër-arrest ndërkombëtar, u publikua dhe një video e fundit e Ervin Matës nga arratia. Pamjet rrëzuan pretendimet se biznesmeni nga kryeqyteti ishte zhdukur në Bolivi dhe asgjë nuk dihej në fatin e tij, sepse vetë Ervin Mata tregonte të kundërtën në kamera.