SPAK ka përfunduar hetimet për Eugert Sinon, i arrestuar në tetor 2025 pas zbulimit të një arsenali armësh në një furgon në rrugën “Myslym Shyri”. Prokuroria e Posaçme e akuzon si drejtues dhe financues të një grupi të
Në tetor të vitit 2025, kur u arrestua, Sino mohoi çdo lidhje me armët e zbuluara në furgonin e tij, duke pretenduar se nuk kishte dijeni se kush i kishte vendosur aty.
Por, një vit më vonë, SPAK ka arritur në përfundimin se ai kishte rolin e drejtuesit dhe financuesit të veprimtarisë kriminale.
Sipas njoftimit të Prokurorisë së Posaçme, nga hetimet ka rezultuar se Eugert Sino, në bashkëpunim me persona të tjerë, kishte siguruar 5 armë të gjata ose snajpera, 6 armë automatike, 12 pistoleta, 17 krehra, 4 tyta armësh dhe 7820 fishekë luftarakë të kalibrave të ndryshëm.
Ekspertimet kanë konfirmuar se armët dhe municionet ishin në gjendje të rregullt teknike dhe mund të përdoreshin për qitje.
Arsenali në furgonin e kamufluar si “Gener 2”
Eugert Sino u arrestua në fund të tetorit 2025, gjatë operacionit policor të koduar “The Van”. Arsenali u zbulua në një furgon me targë AB 911 UB, që kishte qëndruar prej rreth një muaji i parkuar në një rrugicë dytësore pranë rrugës “Myslym Shyri” në Tiranë.
Mjeti ishte kamufluar si furgon i mirëmbajtjes rrugore, me ngjyrat portokalli dhe të verdhë, mbishkrimin “Mirëmbajtja Rrugore”, logon e kompanisë “Gener 2” dhe fenelinë në pjesën e sipërme.
Në atë kohë, policia raportoi se kishte sekuestruar 23 armë zjarri, një silenciator, rreth 15 mijë fishekë, pranga, uniforma të ngjashme me ato të Policisë së Shtetit, pajisje për shpërthime në distancë, pajisje gjurmuese GPS dhe bllokues valësh.
Gjatë marrjes në pyetje, Sino mohoi lidhjen me arsenalin, duke pretenduar se persona të tjerë mund t'i kishin fshehur armët në furgonin e tij, që qëndronte i parkuar pranë banesës.
Lidhja e dyshuar me Aurel Hoxhën
Në kohën e arrestimit, Eugert Sino dyshohej se ishte pjesë e grupit kriminal të Aurel Hoxhës, pronarit të lokalit “Monopol” në rrugën “Myslym Shyri”, i shpallur në kërkim nga SPAK.
Sipas të njëjtave burime, Sino rezultonte në dokumente si i punësuar në pozicionin e banakierit nga Aurel Hoxha.
Ky i fundit akuzohet nga SPAK se ka porositur vrasjen e Klevis Lleshit, një prej pesë burrave të vrarë të fisit Lleshi, në kuadër të një hasmërie që, sipas raportimeve, kishte nisur në vitin 2012, pas vrasjes së vëllait të Hoxhës në Angli.
Në atë kohë, hetuesit dyshonin se armët e zbuluara në furgon ishin trafikuar nga disa shtete, duke kaluar tranzit përmes Kosovës, dhe se do të përdoreshin për ngjarje kriminale nga grupe që vepronin në Tiranë, Laç dhe Burrel.
SPAK ndan dosjen, vijojnë hetimet për bashkëpunëtorët
Prokuroria e Posaçme e akuzon Eugert Sinon për mbajtje pa leje dhe prodhim të armëve, armëve shpërthyese dhe municioneve, në bashkëpunim në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal, si dhe për drejtimin e këtij grupi.
Ndërkohë, për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari, SPAK ka ndarë aktet e dosjes dhe ka regjistruar një procedim të ri penal, me numër 203/1 të vitit 2025.
Hetimet janë zhvilluar në bashkëpunim me autoritetet e drejtësisë në Kosovë, strukturat e Policisë së Shtetit dhe Byronë Kombëtare të Hetimit.
Kërkesa për gjykimin e Eugert Sinos është dërguar në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë.
Njoftimi i plotë i SPAK:
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar përfundoi hetimet dhe ka dërguar në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë kërkesën për gjykimin e procedimit penal nr. 203 të vitit 2023, në ngarkim të të pandehurit:
1. Eugert Sino, i akuzuar për kryerjen e veprave penale:
“Mbajtje pa leje dhe prodhim i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, në automjete, në mjedise publike, si dhe në sasi të mëdha, pa lejen e organeve kompetente shtetërore, kryer në bashkëpunim, në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, të parashikuar nga nenet 278/1/2, 28/4 të Kodit Penal, në lidhje me nenin 334/1 të Kodit Penal “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”
“Mbajtje pa leje dhe prodhim i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit luftarak”, kryer në bashkëpunim, në formën e veçantë të bashkëpunimit atë të grupit të strukturuar kriminal, pa lejen e organeve kompetente shtetërore, të parashikuar nga nenet 278/3, 28/4 të Kodit Penal, në lidhje me nenin 334/1 të Kodit Penal “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”
“Grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333/a/1 i Kodit Penal, në formën e drejtimit.
Nga tërësia e hetimeve të kryera ka rezultuar e provuar se i pandehuri Eugert Sino, në bashkëpunim me disa persona të tjerë, kanë arritur të sigurojnë një sasi të konsiderueshme armësh zjarri; 5 armë të gjata/sniper, 6 armë automatike, 12 pistoleta, 17 krehër të tjera, 4 tyta armësh, si dhe sasinë prej 7820 copë fishekësh luftarakë të kalibrave të ndryshme. Sipas akt- ekspertimeve respektive ka rezultuar se armët e zjarrit dhe municionet luftarake janë në gjendje të rregullt teknike dhe mund realizojnë qitje.
Në përfundim të hetimeve është konkluduar se i pandehurit Eugert Sino, ka pasur rolin e drejtuesit dhe financuesit në këtë veprimtari të paligjshme kriminale.
Me qëllim identifikimin e bashkëpunëtorëve të të pandehurit kemi proceduar me ndarjen e akteve të procedimit penal nr. 203 të vitit 2025, numërtimin e procedimit të ri penal, nr. 203/1 i vitit 2025, dhe vijimin e hetimeve për kryerjen e elementëve të veprave të mëposhtme penale:
“Mbajtje pa leje dhe prodhim i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, në automjete, në mjedise publike, si dhe në sasi të mëdha, pa lejen e organeve kompetente shtetërore, kryer në bashkëpunim në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, të parashikuar nga nenet 278/1/2, 28/4 të Kodit Penal, në lidhje me nenin 334/1 të Kodit Penal “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”;
“Mbajtje pa leje dhe prodhim i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit luftarak”, kryer në bashkëpunim, në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, pa lejen e organeve kompetente shtetërore, të parashikuar nga nenet 278/3, 28/4 të Kodit Penal, në lidhje me nenin 334/1 të Kodit Penal “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal” dhe
“Grup i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333/a i Kodit Penal.
Hetimet janë realizuar në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet e drejtësisë kosovare, strukturat e hetimit të Departamentit të Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, si dhe Byronë Kombëtare të Hetimit.