Video e Princ Lekës si ajo e Safetit me Almën!

8 Mars 2024, 09:30Pikëpamje SHKRUAR NGA ARMIR SHKURTI
Elia Zaharia/ Leka Zogu/ Safet Gjici/ Alma Kaçi

Për mua ka dy faje të mëdha Leka Zogu i Dytë: I pari, që u martua me këtë zonjë. I dyti, që po divorcohet! Dhe i treti - video e sotme...

Le të sqarojmë dhe një pikë kyçe të argumentit: që nga qershori 1997, me referendum popullor forma e regjimit u vendos REPUBLIKA. Monarkia ligjërisht ra. Pak më vonë familjes Zogu iu lejua rikthimi në atdhe. Por pa asnjë funksion a rol në jetën politike të vendit.

Madje ky Leka i vogël nisi punë në një ministri, me rrogë nga taksat që ne i japim republikës.

Edhe pse ekziston një "oborr mbretëror" prania e tij në jetën shoqërore të vendit është zero. Po aq edhe i nipit të LMT Ahmet Zogut. ...

Ajo pra që mbetet nga gjyshërit ( si nga babai ashtu edhe nga nëna ) janë mbiemrat, për shkak të të cilave ky djalë konsiderohet pjesë e "klubit" të monarkëve.

Në historinë e monarkive martesa ka qenë gjithnjë akt politik dhe mbreti me mbretëreshën - institucion. Edhe kur njëri apo tjetri i lëshohej epsheve me dashnorë, dashnore e kurtizanë, martesa mbetej martesë, për shkak të statusit institucional të veçantë.

Kjo është arsyeja se përse në vjeshtën e dytë të 2016- ës erdhën nga ana e anës princër e mbretër në dasmën e Lekës.

Ndërkohë që ky djalë nuk kishte ndjekur traditën e monarkëve të të gjitha kohërave, madje as të gjyshit e babit, që gruan e kishin zgjedhur nga dyer me gjak blu në Europë. Çuni ra n'dashni dhe u martu me nji goc Tirone!!

E gëlltitën ata që erdhën nga oborret e mbretërive dhe principatave.Për të njejtat arsye, pra për të ndjekur pasionet, plot trashëgimtarëve u janë hequr titujt dhe të drejtat nga familjet e larta e janë lënë të ndjekin zemrën , por si qytetarë të thjeshtë.

Nejse!

Meqë ka edhe të tilla raste të pranuara para Lekës sonë, le të shkonte edhe ky....

I dyti faj është divorci. Jo vetëm se jemi republikë e jo monarki nuk i them as "princ" as "madhëri" siç unë i kam thënë ,ndjes pastë, të atit kur ndiqja si gazetar fushatën e tij për referendum. Por se në asnjë aspekt formal apo substancial ky i sotmi nuk ka lidhje as me titullin as me nderimet.

"Princ" është së pari dhe mbi gjithçka PËRGJEGJËSI! As Leka Zogun e Dytë dhe asnjë burrë a grua tjetër unë s'kam as të drejtë e as zakon ta gjykoj në marrëdhëniet e tij intime dhe familjare.

Por Princin, kryeministrin, presidentin dhe çdo titullar a funksionar që ka marrë përsipër një detyrë shtetërore a përgjegjësi publike, patjetër që PO!

Pra, një Princ që ia komandon jetën e vet koka e vogël ndër kofshë dhe jo ajo mbi supe, është i padenjë për atë titull. Ndaj thashë që faji parë është martesa sipas testosteronit dhe jo traditës, i dyti, divorci sipas testosteronit dhe jo traditës dhe përgjegjësive....

Për videon e sotme?

......mirë. Po e komentoj vetëm në raport me ofiqin si "princ":

Ajo video nuk ka asgjë më pak se ajo e Safetit me Almën. Mbreti - kameraman që xhiron brenda pallatit mbretëror një skenë shumë intime dhe e transmeton nëpër televizione.

Këtu më kujtohet një thënie madhështore e Fushésë së Cvajkut, kur mori vesh se kishin ekzekutuar një Burbon: "Ky nuk ësvtë krim. Ky është gabim"! Sepse në politikë krimi është pjesë e pranuar e lojës.

Ndërsa gabimi shkakton katastrofë. Në rastin e sotëm, ky është faji i tretë i Princit, por s'prish punë sepse prej kohësh ky rob ka dalë nga politika dhe gabimin po do ta kthejë në përfitim.

Me koston që milet sot , nga Leka i dytë, ta bëjnë për dy lekë.

Shënim: Titulli është vendosur nga redaksia, ndërsa titulli origjinal i autorit është, "Tre fajet e Princ Lekës".

Video