Sa bëjnë 10+6 emigrantë?

16 Tetor 2024, 17:09Pikëpamje SHKRUAR NGA LUTFI DERVISHI
Anija “Libra” me 16 azilkërkuesit e parë që do të vendosen në kampin e Gjadrit, mbërriti mëngjesin e kësaj të mërkure në portin e Shengjinit.

Ndonjëherë e ardhmja e problemeve të një kontinenti varet nga barku i një anijeje që zbarkon plot madhështi në brigjet e portit të Shëngjinit.

I tillë ishte rasti i sotëm i anijes “Libra” të Marinës Italiane, prej së cilës zbriten vetëm 10+6 emigrantë! Pra plot 16 vetë!

Kjo shifër  meriton të hyjë në librat e historisë si një nga ngjarjet më madhore të dekadës duke parë që pas këtij numri të papërfillshëm fshihen të gjitha përgjigjet për krizën e migracionit në Bashkimin Europian.

Ndërkohë, në port, 16 emigrantët, (10 nga Bangladeshi dhe 6 nga Egjipti), u pritën nga  ansambli mediatik prej 60 gazetarë vendas dhe të huaj të armatosur me mikrofona në pritje te raportimit të ngjarjes se madhe.

16 emigrantët e ardhur  prodhuan 160 lajme taze, mesatarisht 10 për koke.

Dikush mund të pyesë me skepticizëm: po a mund të jetë një anije me 16 njerëz në bord përgjigja për emigracionin?

Po të bëhen hesapet kostoja e transportit shkoi mbi 300 mijë euro, pra 20,000 euro për kokë.

Po sikur emigrantëve t'u jepeshin nga 20 mijë euro dhe të ktheheshin në shtëpi.

A nuk do të ishte kjo një fushatë e madhe marketingu për avantazhet e qëndrimit në atdhe?

Imagjinoni efektin: çdo emigrant kthehet në vendin e tij si një hero, jo i krizës, por i marketingut anti-emigracion.

Një lloj Noah që kthehet në tokën e premtuar jo për të ndërtuar arkën, por për të zbuluar se e ardhmja e ndritur mund të jete aty ku ke lindur me pak më shumë para në xhep.

Kjo do të zgjidhte krizën e migracionit më shpejt se sa zbarkimi i anijeve në Shëngjin

Siç na mëson anija “Libra”: kriza nuk është asgjë tjetër veçse një version i përhershëm i një telenovele të dobët, ku çdo episod është një situatë e re, por fundi asnjëherë nuk vjen.

Sepse, fundja, më shumë rëndësi ka spektakli se zgjidhja e problemit.

Video