Meqë me ditën e fundit të korrikut heshtën topat në Shqipëri, le të merremi me ditën e parë të gushtit me topat e Evropës.
Aty ku je o lexonjës, kliko në Google “nine kings” (9 mbretër) dhe pastaj shtyp “search”. Do të të shfaqet në dhjetra versione kjo fotografi e vitit 1910.
Fotografia ka hyrë në histori vetëm për një fakt. Eshtë hera e parë dhe e fundit në histori që kaq shumë mbretër, plot nëntë, pozojnë së bashku.
Pak vite më pas, Evropën do ta përfshinte marrëzia e Luftës Botërore, marrëzi e cila ende sot analizohet dhe nuk i dilet dot matanë se pse si e qysh ndodhi.
Evropa, në kulmin e fuqive të saj, me perandoritë koloniale anekënd globit; me qytetërimin e saj fitimtar që tashmë po rezaton mirëqenie të paparë; në ritmin e një një epokë zhvillimi të gjithëanshëm ekonomik, shoqëror, artesh, që hyri në histori me termin “belle epoque”; e qeverisur nga monarkë të ndriçuar liberalë që përpos të tjerave ishin gati të gjithë kushërinj me njëri-tjetrin.
Dhe pastaj…, pastaj papritur një çoban serb shpraz një kobure që s’di as ta mbajë mirë në dorë dhe i gjithë kontinenti hyn në një vorbull marrëzie kolektive që do ndalej vetëm katër vjet më pas jo se u erdhën mëntë, por sepse u mbaruan fuqitë.
Pavarësisht se koburja e serbit krisi në Sarajevë në qershor, topat e parë u shprazën më 1 gusht, për të mbetur në histori me termin “topat e gushtit”.
Në fund, kur topat heshtën, katër Perandori qindra-vjeçare nuk egzistonin më. Perandoria Gjermane, Perandoria Austro-Hungareze, Perandoria Ruse dhe Perandoria Otomane. Nga rrënojat e tyre dolën një mori kombesh, ashtu siç ndodh gjithmonë kur bien gjigandët.
Ashtu si ç’ishte ndodhur edhe me Dinosaurët 66 milion vjet më parë. Vetëm pas zhdukjes së tyre nga Katastrofa e Meteoritit, nga nëntoka filluan të dalin, të shfaqen të trembur gjitarët, që pastaj milion pas milioni erdhën deri tek ne.
Po të mos kishte qenë Katastrofa e Dinosaurve, homo sapiens nuk do ishte krijuar, unë nuk do isha këtu sot duke shkruar dhe as ju duke më lexuar.
Po të mos kishte qenë Katastrofa e Perandorive, as WW2 nuk do kishte ndodhur, shoqëria do kishte vijuar udhën e ndryshimeve evolutive graduale, pa çmenduritë ideologjike të shekullit XX. Me shumë gjasë, në fronin e Gjermanisë sot do ishte nipi i Vilhelmit II.
Në fronin e Austrisë do ishte djali atij Ottos që vdiq para disa vjetësh i mjaftuar veç me poltronën e deputetit të Parlamentit Evropian.
Në fronin e Rusisë do ishte stërnipi i Nikollës II; ndërsa në fronin e Padishahut, nipi i Mehmed-Reshatit VI, që ndoshta sërisht do vizitonte Kosovën i mirëpritur si stërgjyshi i tij në vitin 1909.
Pa Katastrofën e Perandorive, Willsoni nuk do kishte patur rast të eksperimentonte fantazitë e tij mesianike të 14 pikave që, përmes “vetëtendosjes së kombeve” do të duhej të sillnin paqen në botë, por që në fakt sollën çdo gjë përveç paqes. Vetëvendosja e kombeve do kishte mbetur një ide e mirë por që do zbatohej me shumë më tepër kujdes, pa shpikur kombe aty ku kishte vetëm tribu.
Studiuesit seriozë sot pranojnë disa fakte, që pastaj, kur jua shpjegojnë shtetarëve, edhe këta u japin të drejtë, por veç me zë të ulët, se duan të mbeten politikisht konkret.
Llafi që bie, ashtu në tavolinë, mes tyre dhe pa mikrofona pranë, e pranojnë që shembja e Perandorisë Osmane la pafund boshllëqe nëpër hapsirat e Arabisë, që pastaj nga halli u zunë duke graduar me titujt “shtet” dhe “kombe”, tribu shkretëtire që shumë mirë kishin jetuar bashkë nën çallmën e Osmanëve, por që pasi ajo ra, kanë që atëhere që shkallmojnë, urrejnë dhe vrasin njërit-tjetrin. Irakenë, sirianë, libanezë, palestinezë, jordanezë, e plot të tjerë.
Apo, meqë jemi ende tek Osmanët, zhdukja e Kalifatit Osman nga Qemal Ataturku (për të qetësuar frikërat e tij nga ringjallja e Perandorisë); privoi botën islame nga një udhëheqje shqirtërore e gjithëpranuar si barí i grigjës islame, rol që në botën e krishterë e luante Papa.
Zhdukja e Kalifit, solli si pasojë që çdo grup fanatikësh islamë ta merrte Kuranin dhe ta lexonte sipas mëndjes së vet - dhe ca më keq edhe ta interpretonte sipas midesë - me pasojën që e shohim ende sot e gjithë ditën: Lindja e zhytur në kaosin e dyfishtë, nacional dhe fetar.
Apo që nëse Gigandi perandorak Gjerman do kishte mbijetuar, ai burri me mustaqe të vockla që bënte piktura nëpër rrugët e Linzit, do kishte mbetur përjetë aty dhe nuk do ta fuste dot botën në katastrofën e Luftës tjetër Botërore, asaj të Dytës dhe të Holokaustit.
Apo që po të kish mbijetuar Perandoriua e Hapsburgëve, ndoshta do ja kish dalë të shndrohej në një lloj federate bashkjetese pa qenë nevoja të krijoheshin nja 10 shtete, ca syresh me nga 200 a 300 mijë shtetarë brenda.
Siç thoshte me dëshpërim Çurçilli, kur të gjithëve u kish hipur në kokë shtetbërja: “Nuk mund të ketë komb nën 10 milion njerëz!”.
E panevojshme të themi që me Romanovët në Rusi - që, në 100 vjetët 1814-1914 kishin dhënë rreth 1000 dënime me vdekje për çështje politike - nuk do kishte ardhur dot në fuqi ai, mustaqja tjetër që 1000 të pushkatuar kishte racionin ditor.
Apo që, po të mos kishte ndodhur Katastrofa e Perandorive, edhe këtu në këtë qoshen tonë, Vidi do ja kishte dalë ta hiqte qafe Haxhi-Qamilizmin dhe do na kish futur që atëhere në udhën e Evropës ku kishte të ngjajshmit e vet - mbretër e princër - dhe nuk do kishim humbur në këtë shekullin që po vazhdojmë të humbim për të gjetur Evropën.
Ka edhe shumë sikure të tjera që studionjësit dhe historianët i qajnë, siç i qajnë edhe ata të paktë politikanë mëndje ndritur, por që janë gjithnjë e më të rrallë.
Më të shumtit e tyre i tremb kjo perspektivë e humbur, sepse nuk do kishin patur mundësi të dilnin e të bëheshin këta që u bënë.
Topat e Gushtiti vunë në lëvizje procese më pas të pandalshme e të pakontrollueshme, që e sollën botën në këtë që është sot, ndoshta më e mirë se ajo e 1914-ës; por ndërkaq ndoshta edhe shumë më e keqe se çdo të ishte nëse 1914 nuk do kish ndodhur fare.