Heronjtë e fundit!

6 Tetor 2024, 13:36Pikëpamje SHKRUAR NGA ARTAN LAME
FOTO/ Shqiptari Rahman Parllaku/ Serbi, Petar Matiç

Shqiptari Rahman Parllaku nuk njihej me serbin Petar Matiç, megjithëse kanë patur shumë pika të përbashkëta në jetë.

Të dy kanë lindur në të njëjtën kohë, i pari më 1919, ndërsa tjetri më 1920.

Të dy lindën në mbretëri, jetuan në socializëm dhe vdiqën në demokraci.

Të dy kishin qenë partizanë dhe kishin luftuar kundër gjermanëve, secili në vendin e vet të pushtuar nga i njëjti armik.

Të dy kishin qenë komunistë dhe kishin besuar me shpirt tek Bota e Re më e mirë që do të ndërtohej.

Të dy vazhduan karrierat ushtarake edhe pas Luftës, të dy kryen studimet në Bashkimin Sovjetik dhe të dy u bënë gjeneralë, i pari i Shqipërisë Socialiste, i dyti i Jugosllavisë Socialiste.

Të dy morën titullin më të lartë të atdheut të vet, i pari “Hero i Popullit”në Shqipëri dhe i dyti “Hero i Popujve të Jugosllavisë”.

Në këtë pikë jeta e tyre ka një dallim, dhe të fortë madje, Parllaku u dënua nga Partia dhe bëri edhe 20 vjet burg, ndërsa Petari vazhdonte karrierën në vendin e vet, megjithëse edhe ai u godit diçka nga Partia e vet, që sidoqoftë asnjëherë nuk arriti në ekstremizmin e marrëzive shqiptare.

Pastaj bota ndryshoi, vëndet tona u bënë demokratike dhe të dy heronjtë vijuan jetën në pleqërinë e thellë, të nderuar nga popujt e tyre.

Të dy e kaluan pragun e të 100 vjetëve me shtatin drejt, duke mbetur secili syresh “Heroi i Popullit” i fundit ende i gjallë.

Pastaj…, i pari u dorëzua gjeneral Parllaku, që iku nga kjo botë më 2019-ën, gati 101 vjeç.
Ndërsa gjeneral Matiçi, iku nga kjo botë para dy ditësh, më 4 tetor 2024, gati 104 vjeç.

Me ikjen e tyre u këput edhe një lidhje tjetër me historinë e shekullit të kaluar, duke përmbyllur kështu kohën kur heronjtë e vërtetë nuk kalonin përmes nacionalizmave e shovinizmave.

Kur njerëzit i shërbenin vendit të vet, edhe kur ai tregohej i padrejtë me ta. Kur besimi në drejtësinë e kauzës, i bënte të falnin edhe padrejtësitë që u bëheshin.

Parllaku nuk e njohu në të gjallë Matiçin.

Po të ishin njohur, ndoshta do kishin shtrënguar duart, ashtu sikundër dinë të bëjnë vetëm heronjtë e vërtetë që, edhe nëse luftojnë në llogore të ndryshme, i falen trimërisë, duke mbetur secili shqiptarë të mirë dhe serbë të mirë.

Eh, është e vështirë t’u mbushësh mëndjen shqiptarëve fejsbukllinj që ka edhe serbë të mirë, ashtu sikundër është e vështirë t’u mbushësh mëndjen serbëve fejsbuksa se ka edhe shqiptarë të mirë.

Po le të mos bëjmë zhurmë rrjetesh sot, thjesht në qetësi t’u themi “lamtumirë heronj shekullorë të kohës që shkoi”!

Video