Fundi politik i spiunit që u maskua si pro europian

21 Tetor 2022, 19:23Pikëpamje SHKRUAR NGA VOX NEWS
Ilir Metaj është drejt fundit të tij politik

Nga Vox News - Është herët për të folur se çfarë efekti do të ketë vota e 94 deputetëve për të hapur dosjet e sigurimit të shtetit të atyre që janë pajisur me certifikata pastërtie nga komisionet ‘Bezhani’ e ‘Mezini’.

Megjithatë, për efektin e parë të saj mund të flitej qysh pas lajmit se grupi i Partisë Demokratike i drejtuar nga Enkelejd Alibeaj njoftoi votën pro ndryshimeve të ligjit, që kërkonte shumicë të cilësuar prej 84 votash.

Sali Berisha nuk mori pjesë. Një nga mbështetësit e tij në sallë, Oerd Bylykbashi, pasi akuzoi se socialistët kishin bllokuar ndër vite përpjekjet e PD-së për të hapur dosjet e kritikoi draftin duke e cilësuar si të paplotë. Megjithatë, Bylykbashi i kishte marrë udhëzimet më parë nga Berisha, votë kundër për këtë projektligj nuk do të kishte.

Mbështetësit e Berishës zgjodhën të mos marrin pjesë në votim, me përjashtim të Elda Hotit, që ishte mes emrave që votuan pro. Si mund të lexohet qëndrimi i Sali Berishës? Një votë kundër mund të ndikonte te perceptimi i qytetarëve, ndërsa vota pro si ‘pazar me Ramën’, siç akuzuan Alibeajn disa syrësh.

Por, mbi të gjitha qëndrimi abstenues është tregues i afrimit të Sali Berishës me Enkelejd Alibeajn dhe fraksionin ‘Basha’ brenda grupit parlamentar të Partisë Demokratike. Edi Paloka dhe Gazment Bardhi të mërkurën zhvilluan një takim për mbi 90 minuta në një kafene. Të dy thanë në fund se do të vazhdonin bisedimet.

Pjesë e bisedimeve mund të ketë qenë kërkesa e ‘bashistëve’ për t’u distancuar nga Ilir Meta. Ky i fundit ka cilësuar Lulzim Bashën si karagjoz dhe njeri që të gënjen edhe për orën. Alibeajn e ka quajtur shpifësirë. Gjuha e përdorur prej ish-Presidentit është edhe më e ashpër se e vetë Berishës, që më 8 janar udhëhoqi demokratët në përpjekjen e dhunshme e të dështuar për të marrë selinë e partisë.

Basha dhe Alibeaj vetë e dinë që pa Berishën nuk kanë bazën e demokratëve dhe po përpiqen për një kompromis. Kompromisi përjashton Ilir Metën nga koalicioni me Partinë Demokratike. Arsyeja tjetër e afrimit të Berishës mund të lidhet edhe me 3 nëntorin, kur Apeli do të vendosë se kujt i takon sigla dhe vula e partisë. Me shumë gjasa vendimi do të jetë për Alibeajn.

Me këtë vendim të mundshëm të gjykatës, Berishës nuk i leverdis një tjetër betejë e përdhunshme brenda Partisë Demokratike me përplasje si ajo e 8 janarit. Për këtë pritet që ta pranojë, të njohë Alibeajn si kryetar dhe të kërkojë një aksion të përbashkët opozitar kundër Ramës. Aksioni mund të nisë me protesta. Për datën e protestës kombëtare, Berisha thotë se do të vendoset brenda të hënës.

Vendimi është i njëanshëm dhe nuk është marrë në këshillim me Ilir Metën, ashtu siç ka kërkuar kryetari i Partisë së Lirisë. Arsyeja është e thjesht. Më shumë se aleat, Ilir Meta është një barrë për opozitarizmin. Me dosjen e ish-sigurimit të shtetit që po i rrjedh jozyrtarisht në publik dhe shumë shpejt me gjasë edhe zyrtarisht, kryetarin e Partisë së Lirisë vështirë se do ta dojë edhe vetë elektorati i tij.

Të gjitha këto e nxjerrin partinë e re, që Ilir Meta e ngriti nga rrënojat e LSI-së, jashtë loje, pavarësisht përpjekjeve të ish-Presidentit për ta paraqitur si forcë e aktor madhor në politikë. Partia e Lirisë me shumë mundësi do të zhduket që në zgjedhjet e vitit të ardhshëm dhe goditjen përfundimtare ta marrë në zgjedhjet e radhës parlamentare, kur t’i largohet edhe mbështetësi i fundit.

Ilir Meta e di mirë këtë dhe përpjekjet e fundit janë që të sigurojë sa më shumë anëtarë në këshillat bashkiakë për t’i paraqitur më pas si sukses në zgjedhje. Në të vërtetë, në shumë bashki të vendit anëtarët e këshillave zgjidhen me 150 deri në 300 vota, një shifër që mund ta kapin shumë kandidatë të partisë së Metës.

Problemi është se vota në zgjedhjet vendore ka më shumë karakter fisnor e klientelist, se sa politik apo programesh partiake. Me damkosjen si spiun i sigurimit të shtetit, as vota fisnore e klienteliste, siç mëma e Partisë së Lirisë, LSI ka marrë në zgjedhjet pas 2009-s nuk do t’i bëjë punë Ilir Metës.

2023 është fundi i tij në politikë pas më shumë se tre dekadash, ku herë u maskua si socialist, herë si pro-perëndimor, herë si sovranist dhe herë si Salvador Allende. Pas gjithë këtyre maskave në fund i doli ajo e realja...spiun i sigurimit të shtetit.

Këtu mbyllet kapitulli politik i Ilir Metajt të shndërruar në Ilir Meta dhe ndoshta i hapet kapitulli me drejtësinë.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Video