Vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja/ Gjon Shkambi shpërthen në lot: Më vjen keq për ngjarjen!

27 October 2025, 13:35Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja/ Gjon Shkambi shpërthen në lot:
Gjon Shkambi/ Astrit Kalaja

Xhaxhai i Elvis Shkambit, autori i vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja, Gjon Shkambi kishte kërkuar të zbutet masa e sigurisë së tij, por u hodh poshtë nga Apeli dhe u la sërish në burg.

Gjatë seancës me dyer të mbyllura, xhaxhai i Elvis Shkambit, shpërtheu në lot dhe u shpreh se ndihej keq për atë çka kishte ndodhur.

Më tej Shkambi ka deklaruar se nuk e dinte se nipi i tij do të kryente krimin e rëndë duke pretenduar se nëse do e dinte do e kishte parandaluar.

“Jam i keqardhur për atë që ndodhi, po ta dija, do ta kisha parandaluar”, deklaroi i dyshuari, i cili më parë kishte kundërshtuar masën dhe ishte ankuar në shkallën e dytë.

Ai dyshohet për vrasje të mbetur në tentativë, ndërsa nipi i tij Elvisi qëlloi ndaj gjyqtarit Astrit Kalaja duke e lënë të pajetë në podiumin ku dha vendimin e fundit, dhe më pas plagosi edhe Ragip dhe Ervis Kurti.

Po ashtu u shqyrtua edhe masa për Banush Koxhaj, për të cilin foli avokatja e tij. Mbrojtja kërkoi lirimin e punonjësit të gjykatës, i cili dyshohet se shpërdoroi detyrën duke mos kryer kontrollin e duhur me detektor.

“Klienti im është i sëmurë”, shtoi avokatja, duke theksuar se Koxhaj ishte një punonjës i përkushtuar, por i patrajnuar, dhe kjo nuk ishte përgjegjësia e tij.

Si ndodhi ngjarja e rëndë?

Ngjarja ndodhi pas përfundimit të një seance gjyqësore për një çështje pronësie në Shkodër, e cila ishte në shqyrtim në Apelin e Tiranës.

Mësohet se gjyqtari Astrit Kalaja kishte dhënë vendimin kundër palës së përfaqësuar nga Elvis dhe Gjon Shkambi.

Menjëherë pas shpalljes së vendimit, Elvis Shkambi ka nxjerrë armën dhe ka qëlluar tre herë në drejtim të gjyqtarit, duke e goditur në gjoks dhe lënë të vdekur në vend.

Gjatë të njëjtës ngjarje, janë plagosur edhe babë e bir, Rakip dhe Ervis Kurtaj, pala tjetër në proces, të cilët ndodhen aktualisht në Spitalin e Traumës dhe janë jashtë rrezikut për jetën.


Video