Kanë mbërritur në Gjykatën e Shkallës së Parë të Rrethit Gjyqësor Fier, tre të akuzuarit si bashkëpunëtorë të vrasjes së 56-vjeçarit Anesti Rama, në Frashër të Patosit.
Tre të dyshuarit Emalinda Rama, 26 vjeçe, nëna e saj Valbona Rama 53 vjeçe dhe Çlirim Dogani, 55 vjeçari banues në Arapaj.
Ata do të dalin para trupit gjykues të përbërë nga gjyqtare Klodiana Keyeziu dhe prokurore Lorena Sallillari.
Të tre akuzohen për vrasjen makabre të 56-vjeçarit nëpërmjet mbytjes me tel, goditjes me sende të forta dhe dëmtimeve në pjesët intime.
Burime nga avokatët mbrojtës bëjnë me dije se nënë e bijë kanë dhënë më shumë se tre deklarata të ndryshme gjatë hetimeve në këto ditë. Sipas avokatit, i cili ka qenë i pranishëm në marrjen në pyetje të dy grave në komisariatin e Fierit, ato kanë ndryshuar disa herë versionet e tyre të ngjarjes, duke treguar një paqëndrueshmëri të theksuar në dëshmi.
“Mospërputhja e dëshmive të tyre mund të jetë një përpjekje për të fshehur të vërtetën“, shprehet avokati, duke shtuar se ajo që të bie në sy është qetësia e pazakontë dhe mungesa e pendesës në qëndrimet e tyre.
Dyshohet se vajza fillimisht e ka goditur babanë e saj në organet gjenitale, dhe pasi ai ka rënë në tokë, Dogani e ka mbajtur nga duart teksa ajo e mbyste me tel.
Po ashtu dyshohet se ata kanë përdorur edhe mjete të forta dhe mjete prerëse.
Ndërkohë nëna e 26-vjeçares ka ndihmuar në fshehjen e gjurmëve dhe pastrimin e gjakut nga trupi i viktimës.
Krimi është zbuluar nga përgjimi i telefonit, ku 26-vjeçarja pas ngjarjes ka komunikuar me bashkëpunëtorin e saj, Dogani, që dyshohet se kishte lidhje intime me të. Ky i fundit ishte i martuar dhe baba i dy fëmijëve.