
Kryekomisioneri i KQZ-së, Ilirjan Celibashi, ka kërkuar miratimin e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor për lehtësimin e procesit të regjistrimit të votuesve të diasporës.
Përmes një drafti, Celibashi i është drejtuar Kuvendit për të mundësuar ndryshimet, teksa është zbardhur projektvendimi sa i përket listës së dokumentacionit që kërkohet për të vërtetuar qëndrimin e zgjedhësit shqiptar jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.
Sipas projektvendimit të KQZ-së, parashikohet që dokumentet e aplikimit për emigrantët shqiptarë, mund të ngarkohen përmes platformës elektronike, PER, nga çdo anëtar i familjes së personit në emër të të cilit është dokumenti.
Në propozim thuhet se personi që ngarkon dokumentin e adresës në PER duhet të ngarkojë sëbashku me të edhe një nga dokumentet vijuese:
-certifikatë familjare të personit që aplikon në PER e cila tregon lidhjen;
-certifikatë personale e cila tregon lidhjen me personin në emër të të cilit është dokumenti i adresës;
-një nga dokumentet shqiptare të identitetit të personit në emër të të cilit është dokumenti i adresës;
-një deklaratë në format zyrtar të lëshuar nga personi në emër të të cilit është dokumenti i adresës”.
Gjithashtu, dokumenti i adresës në emër të një personi mund të ngarkohet në PER edhe nga persona të tjerë të cilët banojnë në të njëjtën adresë me personin në emër të të cilit është ky dokument.
Sipas propozitmit, në këtë rast, duhet një deklaratë nga personi në emër të të cilit është dokumenti i adresës për të vërtetuar se edhe personi tjetër banon në të njëtën adresë me të.