Vdekja misterioze e Xhoit: A duan ta mbyllin rastin si vetëvrasje dhe dëshmitë e para të kolegeve

15 March 2023, 22:00Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Vdekja misterioze e Xhoit: A duan ta mbyllin rastin si vetëvrasje dhe
Xhoi Aoko

13 Gusht 2023. Në orët e mbrëmjes, në komisariatin numër 1 në Tiranë, paraqitet një vajzë afrikane e quajtur Emily Mutua e cila denoncon zhdukjen e shoqes së saj të dhomës.

Ajo kishte konstatuar që prej orëve të para të mëngjesit mungesën e Xhoit 22-vjeçare. Pavarësisht se në shtratin e shoqes kishte konstatuar rrëmujë të pazakontë, sikur aty të kishte pasur përleshje, ajo vendosi të denoncojë vetëm pas 13 orësh.

Mesditën e 14 Gushtit, afro 30 orë pasi u raportua e zhdukur, 22-vjeçarja u gjet në gjendje të rëndë poshtë ballkonit të rezidencës “Flauer”, pranë vilave gjermane. Të parat që konstatuan Xhoin pa ndjenja ishin dy kolege të saj gjeorgjiane, të cilat punon së bashku me Xhoin si krupiere.

Çështja bëhet mjaft e dyshimtë që në momentet e para. Mjaft e çuditshme se si koleget, shoqet e saj nuk e panë vajzën që dergjej prej 30 orësh pranë dritareve që ishin jo më larg se 3-4 metër. Shtetasja gjeorgjiane e quajtur Sofi, ka treguar para prokurorit momentet e para se si e gjetën Xhoin.

“Pamë që ky person ishte Joyce nga Kenia, dhe filluam të bërtasim të shqetësuara. Në këtë moment të dyja zbritëm poshtë. Bashkë me ne zbritën edhe njerëz të tjerë që punojnë tek kazinoja, por që jetojnë në rezidencë. Joyce ishte e shtrirë përtokë, pa këpucë, e përmbysur, kishte gjakderdhje në kokë mbrapa, ishte e gërvishtur tek pjesa e mollëzës së fytyrës, gjakderdhje nga hunda si dhe pantallonat e shkurtra i kishte të ulura deri tek gjunjët”.

Në momentet e para, për ngjarjen nuk foli askush. Rrethanat e dyshimta u lanë mënjanë dhe e gjithë ngjarja, po trajtohej si vetëvrasje. Sot, Prokuroia e Tiranës nuk ka ende një pistë përfundimtare hetimi.

Ajo që u duk që në momentet e para, është neglizhenca e institucioneve për zbardhjen e ngjarjeve, që ne do ta zbulojmë hap pas hapi përmes dokumenteve dhe provave nga dosja hetimore.

“E kanë përgjigjen deri para orës 16:00”, a duan ta mbyllin rastin e Xhoit si vetëvrasje?

Inside Story ka takuar njerëz që njohin nga afër historinë, ka kërkuar informacione në institucionet shqiptare dhe ato keniane, ka konsultuar dokumente zyrtare dhe informacione kofidenciale.

I vetmi fakt i sigurt në këtë histori është se Joyce ka pësuar shumë trauma, ka lënguar derisa humbi jetën ndërsa drejtësia shqiptare vijon ende të ngrejë duart lart.

Problemet për Xhoin nisën dhjetë ditë para ngjarjes kur ajo vendosi të ndërronte edhe rezidencën e banimit. Më herët vajza jetonte në lagjjen “Ali Demi”. Në momentin e incidentit të 13 gushtit ajo gjendej në Flauer Residence.

Pas disa hezitimeve, Inside Story komunikoi me nënën e Joyce për të hedhur më shumë dritë mbi ngjarjen përmes informacioneve që Znj Ruth Abongo disponon. Ajo tregohet e rezervuar lidhur me informaiconet konfidenciale, por shpreh me bindje pistat dhe njerëzit që i duken të dyshimtë në gjithë këtë histori.

“Nuk do të qaj çdo ditë. Lotët do të mbarojnë shpejt. Unë do të kërkoj drejtësi derisa të jem gjallë. Edhe pse policia nuk e do të vërtetën, ajo është tek telefoni i Joyt. Ata e kanë përgjigjen deri para orës 4 pasdite të datës 14 gusht 2022. Xhoi kishte vetëm një telefon” u shpreh Ruth Abongo, mamaja e Xhoit.

Gjatë intervistës për Inside Story, në një moment zonja Ruth Abongo dyshon nëse rrëfimi i saj është i përshtatshëm për tu bërë publik, por ajo ka një qëllim: drejtësinë për të bijën. Sot, prokuroria po e heton ngjarjen në dy drejtime: si vetëvrasje por edhe si vrasje.

Nëna e saj shprehet e bindur në këtë të dytën. Këtu, situata komplikohet. Dyshimet janë mes disa pistave të ndryshme. Krim pasioni, vrasje për të mbuluar një abuzim seksual nga njerëz me pushtet, apo probleme në punën si krupiere.

“Ekziston pista e vetëvrasjes, por nuk është e mbështetur në fakte”, u shpreh gazetarja Anila Hoxha.

“Duhen ngritur disa pista dhe mungesa e informacioneve i rrëzon vetë një e nga një. Është e gabuar të ngresh vetëm një pistë” u shpreh Artan Rexhepi, ekspert i kriminalistikës.

“Jo nuk është vetëvrarë. Nëse shikohet pozicioni kur është gjetur nga fotot e policisë duket që nuk është vetëvrarë. Ky burrë vijon të ecë i lirë dhe ka vrarë vajzën time, Nëse policia do, ata mund ta gjejnë. Pse nuk akuzohet dikush tjetër” u shpreh Ruth Abongo, mamaja e Xhoit.


Video