U zunë pas aksidentit me makinë, i riu godet me çekiç në kokë 57-vjeçarin duke i shkaktuar vdekjen (EMRAT)

20 Janar 2026, 08:50Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Petrit Ndou

Një ngjarje e rëndë kriminale ka ndodhur gjatë orëve të para të mëngjesit në aksin rrugor Krujë–Mamurras, ku një konflikt mes dy drejtuesve automjetesh ka përfunduar me humbje jete.

Rreth orës 01:00 të natës, dy automjete dyshohet se janë përplasur, çka ka sjellë një përshkallëzim të situatës mes drejtuesve të tyre.

Sipas të dhënave paraprake, pas përplasjes ka nisur një konflikt fizik mes palëve. Si pasojë, ka mbetur i vdekur Petrit Ndou, 57 vjeç, banues në Pukë. Viktima ka marrë një plagë të rëndë në kokë, ndërsa në vendngjarje është gjetur edhe një çekiç, i cili dyshohet se është përdorur gjatë konfliktit.

Burime nga policia bëjnë me dije se autori i dyshuar është 28-vjeçari Andi Vokri, banues në Mamurras. Ky i fundit dyshohet se e ka goditur viktimën në kokë me çekiç, duke i shkaktuar plagë fatale.

28-vjeçari është shoqëruar menjëherë nga uniformat blu dhe po merret në pyetje nga grupi hetimor. Paralelisht, policia po mbledh dëshmitë e dëshmitarëve okularë, si dhe po analizon provat materiale për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe motivet e ngjarjes.

Hetimet vijojnë, ndërsa pritet që autoritetet të japin më shumë detaje në vijim. 

Krujë/Informacion paraprak

Rreth orës 00:40, në aksin rrugor “Thumanë-Krujë”, dyshohet se gjatë një konflikti për motive të dobëta, është goditur me sende të forta dhe për pasojë ka humbur jetën shtetasi P. N., 57 vjeç.

Shërbimet e Policisë kanë kapur dhe shoqëruar autorin e dyshuar dhe shtetas që mund të ketë dijeni për ngjarjen, por për shkak të hetimit, nuk jepen të dhënat e tyre.

Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen dhe dokumentimin e rrethanave të ngjarjes.

Në përfundim të veprimeve hetimore, do të jepet informacion i plotë.


Video