Trafik armësh me makinë të vjedhur nga Gjermania, arrestohen 2 persona në Morinë, identifikohet edhe porositësi

13 March 2026, 09:03Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Trafik armësh me makinë të vjedhur nga Gjermania, arrestohen 2

Finalizohet operacioni i koduar “JAD 1”, kundër trafikimit të armëve të zjarrit dhe mjeteve motorike.

Tentoi të trafikonte në Shqipëri, një armë zjarri të fshehur në një automjet tip “BMW” të vjedhur në Gjermani, arrestohet 38-vjeçari nga Kosova.

Si rezultat i hetimeve dhe veprimeve operacionale, identifikohet dhe kapet shtetasi nga Kosova, që kishte porositur trafikimin e armës dhe automjetit.

Sekuestrohen arma e zjarrit (pistoletë) me municion luftarak, automjeti tip “BMW”, si dhe automjeti bashkë me rimorkio me të cilin transportohej automjeti tip “BMW”.

Si rezultat i verifikimeve dhe kontrolleve të detajuara të kryera në hyrje/dalje të Republikës së Shqipërisë, në bazë të analizës së riskut dhe punës operative, shërbimet e Policisë Kufitare të PKK Morinë finalizuan operacionin e koduar “JAD 1”.

Gjatë operacionit u vunë në pranga shtetasit M. P., 38 vjeç dhe H. A., 34 vjeç, të dy banues në Prishtinë.

Në hyrje të Republikës së Shqipërisë është paraqitur shtetasi M. P. që drejtonte një automjet tip “Tuareg”, në të cilin kishte rimorkuar një automjet tip “BMW” që nga verifikimet rezultoi i vjedhur në Gjermani.

Nga kontrolli i imtësishëm, në automjetin tip “BMW”, u gjet 1 armë zjarri (pistoletë).

Në vijim të hetimeve të thelluara të kryera për këtë rast, është mundësuar identifikimi dhe arrestimi i shtetasit për llogari të të cilit ishin kryer këto veprimtari kriminale, H. A..

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Kukësit, për veprime të mëtejshme.


Video