Rama shtron iftar në Pallatin e Kongreseve: Ramazani dhe Krishtlindja do të ‘takohen’ në vitin 2030

12 Mars 2026, 19:51Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Edi Rama

Kryeministri Edi Rama dhe bashkëshortja e tij Linda Rama kanë shtruar mbrëmjen e kësaj të enjteje, 12 mars, sofrën e iftarit për besimtarët me rastin e muajit të Shenjtë të Ramazanit.

Gjatë fjalimit të tij, Rama u shpreh se uron që ky të jetë mandati i fundit i një kryeministri shqiptar jashtë ‘shtëpisë’ së madhe të Bashkimit Europian.

“Dhe duke qenë se ky është iftari i parë i këtij mandati të katërt në detyrën që ma jep privilegji që t’ju ftoj këtu bashkë me Lindën, ndërkohë që ky mandat, unë dua të jetë i fundit i një kryeministri të Shqipërisë jashtë shtëpisë së Europës së Bashkuar, dua ta mbyll me një detaj, që mua ma hijeshon optimizmin tim për Shqipërinë, që për herë të parë në dekada, Ramazani dhe Krishtlindja do të takohen në vitin 2030. Prandaj, duke ulur siparin e fjalës sime, unë dua t’ju shpreh sot një mirënjohje të madhe me gjithë zemër myslimanëve shqiptarë, për atë që janë dhe duke iu uruar të kenë çdo të mirë për të cilën luten, dua të uroj që të jenë në jetë të jetëve, shumica që gjithmonë kanë qenë gjer më sot, shëmbëlltyrë e gjallë e të vërtetës së madhe të Shqipërisë, ku besimi nuk është një vijë që ndan, por një sofër që bashkon dhe ku islami njësoj si krishtërimi e thërret Europën në krye të sofrës”, u shpreh Rama.

Mes të tjerash, gjatë fjalës së tij, kryeministri Rama u shpreh se kjo sofër iftari bashkon jo vetëm besimtarët myslimanë por njerëz të të gjitha besimeve si dhe jo besimtarë, ndërsa dha mesazhe se argjërimi i mëson njeriut durimin dhe se si të zbusë ‘shpellarin’ brenda vetes.

“Të dashur miq dhe të ftuar, agjërues, besimtarë dhe jo-besimtarë. Ju uroj të gjithëve mirëseardhjen në sofrën tradicionale të Iftarit, që sëbashku me Lindën e shtrojmë me kënaqësi në nderim të vlerave dhe traditës së ripërtërirë të muajit të Shenjtë të Ramazanit. Sofra e Iftarit është e vetmja sofër ku je edhe shtrues, edhe i shtruar, edhe zot shtëpie, edhe mik. I ftuar dhe i lirë mes të njohurish, por edhe i lidhur me të panjohurit përreth. Je ti që mbledh apo mblidhesh, por është diçka sipërane që bashkon: Zoti, Allahu, universi… Ama thjesht me fjalët e Kantit, hyjësia e qiejve mbi mua, ligji moral brenda meje. Këto dy botë pikëtakohen në sofrën e iftarit dhe pikërisht kjo është arsyeja se pse qoftë edhe ateisti më i madh i  mbledhur në këtë sofër, e ka të pamundur të mendojë qoftë edhe për një çast për vogëlsinë e vet nën yjësinë e madhe.

Rreth kësaj sofre, ligji i padukshëm që jeton brenda çdo qenie njerëzore, ligji që na thotë se tjetri nuk është një i huaj, por një fqinj, një bashkudhëtar, një grimcë e ngjashme përkohësie nën të njëjtin qiell, merr në zotërim territore të caktuara të mendjes dhe të shpirtit. Të vogla apo të mëdha, por i merr dhe bëhet i dukshëm për vetëdijen. Agjërimi i mëson njeriut durimin e vetvetes dhe rrugën e zbutjes së paraardhësit të vet të parë, shpellarit që ka brenda vetes. Ai çast bëhet dinjiteti kur buka ndahet mes të tëra duarve”, tha Rama në nisje të fjalimit të tij, i cili uroi që të gjithë besimtarëve t’u pranohet agjërimi.


Video