Thyen xhamin me gur dhe futet brenda, si grabiten bizneset në "Don Bosko", arrestohet hajduti (VIDEO)

20 July 2022, 15:44Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Thyen xhamin me gur dhe futet brenda, si grabiten bizneset në "Don
Momenti i grabitjes

Policia e Tiranës ka vënë në pranga një grabitës në kuadër të operacionit “Break”, pasi akuzohet si autori i dyshuar i vjedhjes me thyerje të një aparati celular dhe të një shume parash, në një dyqan në "Don Bosko".

Në pranga është vënë shtetasi K. M., 35 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për vjedhje. Ai akuzohet për veprat penale "Vjedhja" dhe "Shkatërrimi i pronës"

Sipas burimeve zyrtare, arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi dyshohet se më datë 19 Korrik, pasi ka thyer xhamin e një dyqani në rrugën "Eshref Frashëri", ka vjedhur një aparat celular dhe një shumë parash.

Si rezultat i hetimeve dhe provave të grumbulluara, ka rezultuar se 35-vjeçari, gjatë 2 javëve të fundit, kryesisht gjatë natës, ka vjedhur me thyerje, në disa subjekte të ndryshme.

Pas hetimeve të kryera dhe provave të grumbulluara, ka rezultuar se ky shtetas është autor i 7 ngjarjeve, më konkretisht:

*Më datë 07.07.2022, në bulevardin "Bajram Curri", dyshohet se ka vjedhur me thyerje në një biznes;

*Më datë 08.07.2022, në rrugën "Ibrahim Rugova", dyshohet se, në një subjekt, ka vjedhur një aparat celular në pronësi të shtetasit B. H.;

*Më datë 13.07.2022, në rrugën "Myslym Shyri", dyshohet se, në një dyqan syzesh, ka vjedhur me thyerje disa palë syze;

*Më datë 14.07.2022, në rrugën "Vaso Pasha", dyshohet se, në një biznes, pasi ka thyer xhamin, ka vjedhur një shumë parash;

*Po me datë 14.07.2022, dyshohet se, në një biznes, pasi ka thyer xhamin, ka vjedhur disa veshje;

*Më datë 15.07.2022, në "Don Bosko", dyshohet se, në një biznes, pasi ka thyer xhamin, ka vjedhur një shumë parash;

*Më datë 17.07.2022, në rrugën “Muzakët”, dyshohet se, pasi ka thyer xhamin, ka tentuar të vjedhë në një biznes.

Në vijim të veprimeve u proceduan penalisht në gjendje të lirë, për veprën penale “Deklarate e rreme përpara oficerit të policisë gjyqësore”, dhe shtetasit A. C., 33 vjeç, banues në Durrës dhe E. K., 21 vjeçe, banuese në Durrës.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.


Video