Taulant Muka denoncon drejtorin e ri të AKSHI-t për plagjiaturë në doktoraturën e tij: Ja dokumentet

16 Shkurt 2026, 21:35Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Igli Tafa

Studiuesi Taulant Muka ka publikuar dy denoncime, ku akuzon drejtorin e ri Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), Igli Tafa, për plagjiaturë në artikuj shkencorë dhe në doktoraturën e tij.

Tafa u emërua në krye të AKSHI-t më 13 shkurt 2026, pasi ish-drejtoresha Mirlinda Karçanaj u shkarkua nga detyra dhe ndodhet në arrest shtëpie dhe n hetim nga SPAK për procedura të dyshuara abuzive me tendera që lidhen me institucionin. Më parë Igli Tafa ka mbajtur postin e drejtorit në Autoriteti Kombëtar i Sigurisë Kibernetike.

Një ditë më parë, Muka denoncoi një artikull shkencor të publikuar nga Igli Tafa në vitin 2011, me titull “A Survey of QoS Routing Protocols for Ad Hoc Networks”, që sipas tij, është kopjuar fjalë për fjalë nga studime të mëhershme të publikuara nga autorë në Malajzi dhe Indi.

Sipas Mukës, artikulli përmban pjesë të marra “copy–paste”, duke ngritur dyshime serioze mbi integritetin akademik të drejtuesit të një institucioni që administron sistemet digjitale shtetërore dhe të dhënat e qytetarëve.

“Dashuria e Kryeministrit Rama për plagjiaturën s’ka fund…

Artikulli shkencor i vitit 2011 i Igli Tafës, drejtorit të ri të AKSHI, është kopjuar fjalë për fjalë (copy–paste) nga studime të publikuara më herët në Malajzi dhe Indi. Mes mijërave shqiptarëve të arsimuar, Kryeministri sërish provon se plagjiaturën e ka kriter për drejtuesit.

Bëhet fjalë për studimin: “A Survey of QoS Routing Protocols for Ad Hoc Netëorks” (2011), i cili rezulton identik me pjesë nga dy artikujt e Aisha-Hassaan (2008) dhe I. Latha (2009).

AKSHI është institucioni që administron sistemet digjitale të shtetit dhe të dhënat e qytetarëve. Si mund të drejtohet një institucion kaq kritik nga dikush me një precedent të tillë?

Dhe pyetja tjetër: a është vetëm ky artikull i tij 100% copy–paste?

Rasti nuk duket i izoluar: edhe ish-drejtoreshën e AKSHI, Mirlinda Karçanaj, e kemi treguar për doktoraturën 100% plagjiaturë.

Pas gjithë ngjarjeve të rënda që lidhen me AKSHI, janë të qarta pasojat kur institucione kritike drejtohen nga njerëz me standarde të ulëta profesionale”, denoncoi Muka në Facebook ditën e djeshme.

Ndërkohë, në reagimin e tij të bërë sot, Muka ngriti akuza edhe për doktoraturën e Igli Tafës, e mbrojtur në vitin 2013 në Universitetin Politeknik të Tiranës.

"Leksionet e profesoreshës rumune Dana Petcu (2009) janë përdorur fjalë për fjalë si kapituj në doktoraturën e Igli Tafës (mbrojtur 2013, Universiteti Politeknik i Tiranës). Pra: shënime leksionesh të një profesoreje të huaj, të paraqitura si punë doktorature!

Që në kapitullin e parë del qartë kopjimi, teksti dhe struktura përputhen identikisht. Ky është standardi i drejtorit të AKSHI-t. Një shembull i keq se si merren gradat dhe titujt shkencorë në Shqipëri, duke dëmtuar arsimin dhe meritokracinë.

Denoncimi i djeshem për artikullin e 2011 kopjuar nga studime malajziane e indiane nuk eshte plagjiature e izoluar e z. Tafa. Si është e mundur që në vitin 2026, kur teknologjia e zbulon kopjimin menjëherë dhe kur mijëra shqiptarë janë edukuar në universitetet më të mira në botë, ne ende drejtohemi nga plagjiatura?

Doktoratura e z. Tafa nuk shkarkohet online në faqen e Universitetit Politeknik, siç kërkon ligji për transparencën në arsimin e lartë dhe aksesin publik të disertacioneve. Kjo mungesë aksesi publik tregon edhe arsyen pse qeveria dhe Biblioteka Kombëtare kanë kufizuar ose "kycur" doktoraturat nga qasja e lirë: praktikisht kane bllokuar meritokracinë dhe të ardhmen e vendit”, shkruan Muka në rrjetet sociale.

 


Video