Dy prokurorë federalë belgë kërkuan të hënën dënim me burgim të përjetshëm për Franc Gergelyn, i njohur edhe si Franc Çopja, pasi ai u shpall fajtor nga Gjykata e Krimeve të Rënda në Bruksel për urdhërimin e vrasjes së Ardit Spahiut dhe për drejtimin e një organizate kriminale.
Vendimi i fajësisë u dha të premten në mbrëmje, ndërsa tashmë procesi ka hyrë në fazën e përcaktimit të dënimit, i cili po zhvillohet në pallatin e drejtësisë “Justitia” në Haren, ku është zhvendosur gjykimi që nisi gjashtë javë më parë.
Prokurorët kërkuan jo vetëm burgim të përjetshëm, por edhe që i pandehuri të dërgohet për ekzekutimin e dënimit në gjykatën për zbatimin e dënimeve për një periudhë prej të paktën pesë vitesh. Ata argumentuan se juria nuk duhet të marrë në konsideratë rrethana lehtësuese në përcaktimin e masës së dënimit.
Franc Çopja u shpall fajtor për organizimin e vrasjes së Ardit Spahiut, një plan që sipas aktakuzës ishte përgatitur për muaj me radhë. Spahiu, 38 vjeç, u ekzekutua më 27 nëntor 2020 në Sint-Jans-Molenbeek. Ai konsiderohej rival i Franc Gergelyt dhe Mikael Qosjes dhe u qëllua me nëntë plumba në shpinë dhe kokë.
Në paraqitjen përfundimtare, prokurorja Nathalie Franco e përshkroi Gergelyn (Çopja) si “trurin operacional” të komplotit që çoi në vrasje.
“Ai ka një perceptim strategjik të caktuar”, deklaroi ajo. Sipas prokurores, Gergely është “më manipuluesi dhe më i rrezikshmi nga vëllezërit e tij”, ka një “mungesë totale të empatisë”, është një “individ jashtëzakonisht i rrezikshëm” me një “mentalitet luftarak dhe kriminal”.
Prokurorja shtoi se Franc Gergely (Çopja) “kërkohet në Shqipëri për disa vepra në lidhje me krimi të rënda”, duke theksuar se ai nuk ka precedentë penalë në Belgjikë.
Në reagimin e tij, avokati mbrojtës Cédric Vergauwen e kundërshtoi kërkesën për burgim të përjetshëm. “Ju nuk kërkoni tjetër veçse një dënim shembullor,” deklaroi ai, duke iu drejtuar prokurorëve federalë.
Sipas avokatit, duke kërkuar një dënim kaq të rëndë “për të dhënë një shembull”, prokurorët “lënë fushën e ligjit për të hyrë në fushën e simbolit”. Vergauwen theksoi se një dënim duhet të jetë “i nevojshëm”, jo “spektakolar”, dhe mbi të gjitha “i përshtatur për individin e përfshirë”.
Ndërsa prokurorët argumentojnë se nuk ekzistojnë “rrethana lehtësuese”, mbrojtja solli në vëmendje të kaluarën, moshën dhe mungesën e një dënimi penal në Belgjikë apo në Shqipëri, ku ai rezulton i kërkuar, por ende i pagjykuar. “Burgim i përjetshëm do të thotë t’i mbyllim derën introspektimit”, deklaroi avokati.
Franc Gergely (Çopja) ka lindur në vitin 1992 në Shqipëri, një vit pas rënies së regjimit komunist të vendosur në vitin 1944. Sipas mbrojtjes, ai u rrit në sfondin e një “hakmarrjeje të gjatë”. Lufta e klaneve, e cila u përmend gjatë procesit, “na tejkalon” dhe “ka origjinën në Shqipëri,” sipas avokatit Vergauwen.
Para pezullimit të seancës, vetë Gergely iu drejtua jurisë, duke i falënderuar për vëmendjen dhe kohën e kushtuar. Ai kërkoi “mëshirë” në përcaktimin e dënimit dhe përmendi moshën e tij të re, 33 vjeç. “Po kërkoj vetëm mëshirë,” përsëriti ai.
Franc Gergely ndodhet në paraburgim në Belgjikë që prej 29 dhjetorit 2023, ditë kur u ekstradua nga Emiratet e Bashkuara Arabe. Ai ka shtetësi shqiptare. U largua nga Shqipëria në moshën 16-vjeçare për të punuar në Itali dhe më pas u vendos në Dubai në vitin 2019. Sipas aktakuzës, ai ishte aktiv në trafikun e drogës dhe i përfshirë në një “luftë klanesh” midis familjeve shqiptare.