Atentati mafioz i ndodhur një ditë më parë 11 nëntor do të kthente sytë nga 'degët e krimit të shtrira në shtet'.
Muçi Shaljani alias Sheqeri, me detyrë agjent pranë Agjencisë së Mbiqkqyrjes Policore, institucion që ka detyrë të hetojë përfshirjen në krim apo korrupsion, mbeti i plagosur në atentatin ku u ekzekutua miku dhe bashkëpunëtori i Emiljao Shullazit, Gilmando Dani tek rrethrrotullimi i Aeroportit të Rinasit.
Shoqërimi i një punonjësi të Policisë së Shtetit, në këtë rast agjent i AMP është një skemë e përsëritur tashmë, ku figura të krimit 'fshihen' pas uniformave të efektivëve, duke përfunduar edhe në viktima për larje hesapesh apo duke ndruar krah.
Të vrarë në atentate apo bashkëpunëtorë në krim...lista është e gjatë
Muçi Shaljani alias Sheqeri, me detyrë agjent pranë Agjencisë së Mbiqkqyrjes Policore ndodhet në gjendje kritike për jetën. Punonjësi i AMP morri 10 plumba, 2 në kokë dhe 8 të tjerë në trup, ndërsa ndodhet në intubim.
Si përfundoi krah Gilmando Danit një punonjës i AMP, kjo mbetet mister.
Shaljani është bërë pjesë e AMP-së gjatë muajit shtator, kur ky institucion drejtohej nga Artjol Saliasi pas shkarkimit të Florjan Sulejmanit.
Drejtori i ri i kësaj strukture, Eduart Merkaj, me marrjen e detyrës, kishte kërkuar rishikimin e një sërë kontratash që ishin nënshkruar me agjentët, përfshirë dhe Shaljanin.
Gilmando Dani dhe Muçi Shaljani, punonjës i Agjensisë së Mbikqyrjes Policore, kishin udhëtuar së bashku në datën 7 Nëntor drejt Barcelonës, ku kishin qëndruar për katër ditë, për t’u kthyer mesditën e djeshme, ku autorët i prisnin menjëherë sapo kanë marrë makinën në parkimin e Aeroportit.
Udhëtimi përfundoi në atentat me ekzekutimin e Gilmando Danit dhe plagosjen e agjentit të AMP-së.
Duke mbetur tek rastet e shoqërimit të figurave të krimit, një agjent i Operacionales rezultoi kontakti dhe personi i fundit personi i fundit që ka parë Ervis Martinaj, ende i zhdukur prej 2020, i shpallur në kërkim, në kuadër të operacionit “Plumbi i Artë.
Më 5 Gusht 2022 Jeton Lami dyshohet se e ka marrë Martinajn në zonën e veriut në një automjet luksoz ‘Audi “A8” dhe e ka transportuar atë drejt Durrësit në një hotel në praninë edhe të një vajze ende të paidentifikuar.
Më 7 Gusht policia ka imazhin e fundit nga Ervis Martinaj në qytetin e Durrësit dhe të Tiranës tek një hotel, ndërsa më 10 Gusht xhaxhai i tij Faik Martinaj ka bërë denoncimin në polici për humbjen e kontakteve me nipin.
Ish-efektivi i Operacionales refuzoi ofertën e Prokurorisë së Posaçme për të bashkëpunuar mbi gjetjen e Martinajt dhe preferoi të “kyçë” gojën dhe të mos zbulojë se çfarë ndodhi me Martinajn.
Lami u arrestua më 24 gusht 2022, ndërsa pretendon se nuk ishte në dijeni që Ervis Martinaj ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar me urdhër të Prokurorisë së Posaçme, pasi faktin e dinin vetëm eprorët por jo ai dhe agjentët e tjerë të Forcës Operacionale.
Shoqërimi është vetëm një hap drejt botës së krimit...'kur uniformat trafikojnë drogë dhe vrasin'
Atin Morina, ish-efektiv i RENEA-s pjesëmarrës në kultivimin e lëndëve narkotike në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.
Në 2023 Morina me detyrë Shef i Repartit të Stërvitjes tek Forcat RENEA, u prangos në zonën e Kodrës së Diellit teksa lëvizte me këtë automjet luksoz, në të cilën u gjetën 113 mijë euro. Ai u lirua nga qelia pasi deklaroi se shumën e parave e kishte marrë hua te një biznesmen për një problem personal dhe se ato nuk ishin të krijuara nga aktiviteti kriminal. Por një vit më pas në 2024 ish-efektivi i RENEA-s u arrestua sërish në kuadër të operacionit “Revanshi”. Sipas SPAK, Altin Morina ka bashkëpunuar me Durim Bamin dhe një person tjetër të referuar si “Drejtori”, i cili ende nuk është identifikuar nga hetuesit. Jo vetëm “Revanshi”, ish-efektivi pjesë edhe e dosjes 'Ura'. Në bisedat në SkyEcc, Ekil Nderjaku i ka kërkuar ish-efektivit RENEA, Altin Morina, i akuzuar si i përfshirë në ngjarje të tjera kriminale, që ta ndihmonte për të shpëtuar Mond Çekiçin, i cili ishte kapur me armë. Nderjaku kishte kërkuar asakohe nga efektivi që të ndërhynte në laboratorin në Tiranë për t’iu hequr gjilpëra armës.
Kur një efektiv xhenio i forcave speciale Komando, ekzekuton për llogari të bandave
Lokali ‘Monopol’ një prej lokaleve në zonën e ish-Bllokut u kthye në skenë krimi në 2018. Mervjol Bilo ishte një nga komandot më të përgatitur të Zall-herrit, truprojë i këngëtares Elvana Gjata, i cili ishte bashkë me grupin e Ervin Matajt ekzekutoi truprojën e Ervis Martinajt, Fabiol Gaxhën. Në përplasjen me armë mbeti i plagosur edhe vetë Ervis Martinaj. Bilo u dënua me 7 vite burgim për plagosje dhe armëmbajtje pa leje, ndërsa dënimi iu reduktua në 4 vite e tetë muaj dhe më pas iu konvertua në shërbim prove. Mevjol Bilo është vlerësuar me nota maksimale si nga shteti shqiptar dhe nga aleatet si dhe nga SHBA-ja për një mision sekret në vitin 1998 në zonën mes Malit të Zi dhe Kosovës për marrjen e CD-ve të avionit vëzhgues të rënë në këtë zonë malore. Ai është njeri nga 30 themeluesit e Forcave Speciale Shqiptare i cili ka marr pjesë në misione paqëruajtëse në Republikën e Chadit në Afrike, Irak e Afganistan.
Muçi Shaljani alias Sheqeri, mbeti i plagosur, por 'fati' nuk ka qenë i njejtë për të gjithë...kur efektivët kaluan krah krimit dhe u vranë në atentate
Ish-polici Santiago Malko u ekzekutua mbrëmjen e 27 gushtit në zonën e “Xhamllikut” në Tiranë, në makinën e tij tip “BMË X5”.
I skeduar për një sërë ngjarjesh kriminale, Malko kishte hyrë edhe në administratën shtetërore. Santiago Malko, ish-punonjës policie ka qenë i arrestuar dhe i shpallur në kërkim për shkak të përfshirjes së tij në ngjarjen e 4 Tetorit në ish-bllok së bashku me mikun e tij Ervis Martinaj ku mbeti i vrarë truproja i këtij të fundit Fabiol Gaxha. Më 2016, Malko gjithashtu është përfshirë në një konflikt me vëllezërit Edmond dhe Gentian Lashi, 34 e 26 vjeç, ku konflikti dyshohet të ketë ndodhur për shkak të një borxhi të pakthyer.
Arsyeja e vrasjes së Malkos u zbuluar nga përgjimet e “SkyECC”. Në bisedën mes Ervis Martinajt dhe Leonard Dukës, bossi i lojrave të fatit e thoshte hapur se nuk e kishte problem faktin që ish-shoku i tij i ngushtë i kishte vrarë njeriun që kishte të besuar, madje i linte shteg hapur që të vepronte po njësoj edhe me Erigers Mihasin (Edhe ky është vrarë). Për vrasjen e Malkos, SPAK akuzon 8 persona, ku në krye të grupit janë dy vëllezërit Duka, Leonardi dhe Erlisi. Klani Duka, i akuzuar për vrasjen përbëhet nga: Leonard Duka, Erlis Duka, Ilir Selmani, Ervis Metani, Fatmir Hyseni, Dritan Agaj, Aleksandër Maxhaku dhe Xhoni Nica.
Më 15 korrik të 2018 u vra ish-punonjësi i policisë Boran Bërçana, 30 vjeç, dhe bashkëjetuesja e tij Silva Ndoci, 25 vjeç,. Ata u ekzekutuan pak pas mesnate teksa ishin në automjetin e tyre.
E gjithë ngjarja tronditëse ndodhi para syve të djalit të tyre 2-vjeçar, i cili u gjet në prehrin e nënës. Në vendngjarje u gjetën 23 gëzhoja, ndërsa autorëve iu deshën vetëm 7 sekonda për t’i ekzekutuar. Asakohe aludimet për autorët ishin të shumta, që nga personat që kishte arrestuar ish-polici deri tek dyshimet se vetë Bërçana ishte pjesë e një grupi kriminal. Ajo që doli në shkurt të këtij viti (2025), atentati i tij u lidh me dy fiset e njohura në Shkodër Lici-Bajrat. Sipas SPAK, Fatbardh Licit është vrarë si shenjë hakmarrje për vrasjen e ish-policit Boran Bërçana 8 vite më parë së bashku me bashkëjetuesen e tij Silva Ndoci. Kjo sepse Behar Bajri ka bërë fajtor Ibrahim Licin për vrasjen e tyre.
Ish-polici i Burgjeve, Gentian Bejtja u ekzekutua pasditen e 15 marsit brenda oborrit të banesës së Larushk. Ekzekutimi ndodhi pas dy tentativa të dështuara në vitin 2022 dhe 2023.
Sërish një efektiv mes bandave. Para se të vritej, Bejtja bënte një jetë mes Larushkut, Lezhës, Shëngjinit, ku qëndronte i strehuar në bazat e fshehta të ish-deputetit të PS Arben Ndoka dhe biznesmenit të basteve sportive, Ervis Martinaj. Disa vite më parë viktima, Gentjan Bejtja dhe vëllezërit Durim dhe Valter Bami, ishin shumë miq me njëri-tjetrin. Por mesa duket intrigat kriminale kanë prishur këtë shoqëri të vjetër, duke sjellë që Gentjan Bejtja të hidhet në krahun e Ervis Martinajt dhe Arben Ndokës, dy kundërshtarëve të vëllezërve Bami dhe Marklen Hakës.
Haka dhe Bamët, kanë dyshuar se njeriu që informonte mbi lëvizjet e vëllezërve Bami, dhe mbante makinat në Larushk në gadishmëri për të kryer vrasjet ishte pikërisht Gentjan Bejtja.Bejtja dyshohet se kishte dijeni edhe për shumë krime që kishin ndodhur në harkun kohor të 10 viteve të fundit, ku në mos ishte drejtpërdrejt i implikuar, të paktën kishte dijeni apo besohej se kishte tradhtuar, ata që deri dje u shërbente. Ai është dyshuar si i përfshirë në disa atentate, si personi që ka nxjerrë në pritë viktimat, informator apo ndihmës i ekzekutorëve.
Ervin Dalipaj ish-shefi i Krimit Ekonomik në policinë e Tiranës dhe shoku i tij Juxhin Dautaj do të ekzekutoheshin e 12 plumba automatiku në prill të 2017.
Ish-shefi i krimit ekonomik së bashku me shokun e tij asakohe ishte në kërkim për rrëmbim dhe vrasje.
Ervin Dalipaj lëvizte i armatosur për faktin se jo vetëm që ishte në kërkim nga policia, por ishte edhe në vëzhgimin e njerëzve të Gazmend Çollakut, për të cilin viktima akuzohej se e kishte rrëmbyer në bashkëpunim me Denis Shtrazën.
Dalipaj u largua nga policia e shtetit në 2013 pasi u akuzua për dekonspirimin e aksionit kombëtar të policisë kundër kazinove të palicencuara.
Në 29 janar 2016 u shpall në kërkim pasi Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda cakton masën e sigurisë “arrest me burg”. Por para burgut Dalipaj u vra në atentat.
Vrasja e ish-efektivit Arben Bilali- nga dyshimet për Xhabaftët tek arrestimi i Gjergj Cukalit
Në janar të 2019 pranë shkollës "At Zef Pllumi" pranë Selitës në kryeqytet do të ekzekutohet ish-efektivi Arben Bilali. Ish-polici humbi jetën gjatë një shkëmbimi zjarri me disa persona të tjerë.
Nga Peza e Vogël familja Bilali u zhvendos pas viteve ‘90 në Selitë, ku si fqinj kishin familjen Imeraj.
Këto të fundit, ishin në përplasje të fortë me fisin Xhabafti. Hasmëria mes këtyre dy fiseve kishte shkaktuar shumë viktima.
Xhabaftët e shihnin oficerin e policisë Arben Bilali, si pjesë të fisit Imeraj dhe mbështetës të tyre.
Ndaj për këtë shkak, familja e tij u vu në shënjestër, thuhej asakohe në hetimet e prokurorisë. Hetimi për vrasjen e Arben Bilalit përfshin edhe personazhe të tjerë të botës së krimit.
Pjesëmarrës në ekzekutimin e ish-policit, ishte edhe Valter Bami. Ky i fundit, është vëllai i të fortit të Niklës, Durim Bamit.
Valter Bamit i ishte marrë ADN gjatë arrestimit në 2018 dhe u vendos të bëhej krahasimi me ADN-të që mund ta lidhnin atë me vrasjen e Arben Bilalit. Por nuk ndodhi kështu.
Kërkimet mbi ADN-në e autorit të gjetura në shishen plastike në makinën e braktisur të krimit, nuk do të rezultonin të padobishme.
Kjo, pasi mostra e pështymës e gjetur në shishe, do të rezultonte të ishte e përputhshme me ADN-në e një prej autorëve të dyshuar mbi ngjarjen. Ai ishte Gjergj Cukali, një personazh me rekorde të forta kriminale në fushën e gjobëvënies e drogës.
Por Cukali do të qëndronte pak muaj në burg dhe Gjykata e Apelit të Tiranës nuk i konsideroi të mjaftueshme provat, duke caktuar ndaj tij masën e detyrimin të paraqitjes.
Të arrestuar, të plagosur apo në rastet fatale, viktima të atentateve....mënyra se si efiktivë të shtetit përfundojnë në 'identitet të dyfishtë' me 'njërën këmbë' në botën e krimit mbetet ende mister! Ngjarja e fundit, kërkon një rishikim të praktikave dhe shtimin e filtrave sesi rekrutohen punonjësit e shërbimeve të rendit dhe sigurisë publike./zëri