Gazetari Artan Hoxha ka dhënë detaje lidhur me aksionin për arrestimin e Marklen Hakës. I ftuar në studion e emisionit “Kjo Javë”, Artan Hoxha tha se Marklen Haka nuk ka qenë kurrë në Dubai dhe aq më pak nuk ka qenë i arrestuar në vendin e Emirateve të Bashkuara Arabe.
Sipas tij, Haka ka qëndruar gjithmonë në Nikël, por së fundmi ka rënë në sy për shkak se kishte nisur që të qarkullonte më lirshëm në zonë.
Kjo ka nxitur dyshimet se i riu mund të kishte nisur që të planifikonte ndonjë hakmarrje në zonën e tij, ndaj edhe policia ka ndërhyrë për ta vendosur në pranga.
Sipas Hoxhës, Marklen Haka është një personazh kompleks që vjen nga zona e Niklës, një zonë që ai e përshkruan si “qendra e trekëndëshit të Bermudës” për botën e krimit të organizuar në vend. Hoxha e karakterizon këtë zonë si një “oaz” ku prodhohen vazhdimisht individë të lidhur me krimin e organizuar.
Në lidhje me arrestimin e Hakës, Hoxha ka theksuar se në pamjet e publikuara nga policia, Haka u shfaq i zbathur, një detaj që ai e sheh si një mesazh të qartë për të tjerët në botën e krimit.
“Policia të arreston, por të jep mundësinë të vishesh. Në rastin konkret, ata u kujdesën ta nxirrnin zbathur. Ky ishte një mesazh për të tjerët, jo për atë,” ka deklaruar Hoxha.
"Marklen Haka ishte zbathur, ishte një mesazh për të tjerët, jo vetëm për atë. Marklen Haka është një personazh me peshë në atë zonë. Unë më shumë e mbaj mend në burg sesa në lirim”, tha Hoxha.
Hoxha tha se Marklen Haka ka një histori të ndërlikuar. Ai është arrestuar më parë në vitin 2011 për vrasje dhe është bërë objekt i një atentati në vitin 2019, gjatë të cilit u vra halla e tij dhe ai u plagos rëndë. Ky atentat sipas Hoxhës e riktheu atë në skenën e krimit.
“Ngjarja që e riktheu fuqishëm në lojë është vrasja e hallës së tij.
Marklen Haka është një njeri me shumë ndikim, nëse e kishe rival duhet të bëje shumë kujdes. Ishte një njeri me lidhje të forta. Nuk është larguar kurrë nga zona.
Edhe për Gentjan Bejtjan dyshohet se ishte i përfshirë tek atentati i 2019 (u plagos edhe Haka). Marklen Haka nuk ka shkuar kurrë në Dubai. Nuk ka lëvizur kurrë nga zona.
Gjatë gjithë kësaj kohe kur dilnin lajme se ai ishte arrestuar dhe ndodhej në Dubai, në fakt ishte në Nikël, nuk po fshihej më dhe po dilte. Po dilte edhe jashtë zonës së Niklës. Ai nuk ka qenë në banesë tek kushëriri i tij, i cili ishte gjithashtu në kërkim.
Policia më tepër ka nxituar për ta kapur për shkak se ai po lëvizte. Kjo e ka nxitur që të reagonte Policia. Nëse do të thyhet një personazh si Marklen Haka, gjë që dyshoj se do të ndodhë. A po përgatiste ndonjë gjë, apo kishte ulur vigjilencën? Këtë do e marrim vesh nga hetimet", tha ndër të tjera gazetari.