Shqipëria aplikon zyrtarisht për t’u anëtarësuar në Mekanizmin e BE-së për Mbrojtjen Civile

13 June 2022, 16:46Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Shqipëria aplikon zyrtarisht për t’u anëtarësuar
Edi Rama dhe Janez Lenercic

Shqipëria ka aplikuar zyrtarisht për t'u anëtarësuar në Mekanizmin e Bashkimin Europian për Mbrojtjen Civile. Kërkesa i është dorëzuar ditën e sotme Komisionerit të BE për menaxhimin e krizave Janez Lenercic nga kryeministri Edi Rama.

Gjatë konferencës së përbashkët për mediat, Rama tha se anëtarësimi është një hap shumë domethënës dhe lehtësim i madh për vendin tonë, për nevojat që ka, teksa shtoi më tej se janë domethënëse rastet që ky mekanizëm i asistencës civile të BE-së i ka dhënë Shqipërisë, si tërmeti dhe pandemia.

“Reformimi i sistemit të mbrojtjes civile është në proces, në rang kombëtar dhe sigurisht edhe si bashkërendim në nivel europian. Janë domethënëse rastet që mund të kujtojmë që ky mekanizëm i asistencës civile të BE-së i ka dhënë Shqipërisë.

Tërmeti një moment jashtëzakonisht me peshë në këtë mbështetje, por edhe çfarë pasoi me pandeminë përsëri ishte mbështetja e këtij unioni të mbrojtjes civile që na i lehtësoi plagët dhe na e lehtësoi përballjen me armikun e padukshëm. Nga ana tjetër edhe falë ndihmës së drejtpërdrejt të komisionerit ne kemi marrë ndihmë nga ky mekanizëm nga përballjet me zjarret e rënda në vitin e shkuar, ku mjetet ajrore që u përdorën nga shtete si Holanda, apo Republika çeke i përkisnin këtij mekanizmi.

Europa këtë mekanizëm e ka ngritur në funksion të domosdoshmërisë për ta përballur së bashku ndryshimin e klimës dhe pasojat e ndryshimit të klimës pikërisht në mjedisin tonë. Mjedisin e çdo vendit, të Europës. Mekanizmi i BE-së është në krye të përpjekjes për të garantuar një mbështetje sa më të madhe për Ukrainën. Gjithçka që nuk është armatim, që nga ushqimi, ambulancat, medikamentet, asistenca për karburant etj. Anëtarësimi i Shqipërisë në këtë BE të mbështetjes civile, është një hap shumë domethënës, por edhe një lehtësim i madh për ne, po të kemi parasysh nevojat që kemi. Nuk bëhet fjalë vetëm për të marrë, por edhe për të dhënë”, deklaroi Rama.

Ndërsa, komisioneri Janez Lenercic tha se është e rëndësishme që vendi ynë të mbështetet në solidaritetin e shteteve të BE-së në raste fatkeqësish si tërmetet, zjarret apo përmbytjet

"Është kënaqësi që jam në Shqipëri. Misioni i parë zyrtar ka qenë këtu në Shqipëri, pas tërmetit të tëmerrshëm ku humbën jetën shumë njerëz. Sot nuk kemi të bëjmë me ndonjë emergjencë dhe pse ka patur një zjarr të madh në Sazan. Në të dyja rastet mekanizmi i BE për mbrojtjen civile u aktivizua menjëherë, siç ishte aeroplani nga Greqia që erdhi për të shuar zjarret në Sazan.

Ajo që mund të mësojmë nga këto dy fatkeqësi është se rastet kur Shqipëria është përballuar me situata emergjente, në të gjithë këto raste Shqipëria ka patur mundësinë që të mbështetet në solidaritetin e vendeve të BE. Mekanizmi i BE për mbrojtjen civile nuk ka të bëjë me 27 shtete, por edhe me 6 shtete të tjera, si: Islanda, Norvegjia, Turqia, Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi.

Disa mungojnë nga kjo listë dhe njëra prej tyre është Shqipëria. Jam shumë i lumtur që kryeministri vendosi sot që të bëjë kërkesën për t’iu bashkuar këtij mekanizmi.

E pranoj këtë kërkesë zyrtare. Unë personalisht e mbështes këtë synim tuajën. Duam që kjo dëshirë të bëhet realitet sa më parë. Shqipëria jo vetëm të ketë mundësinë të mbështetet tek solidariteti i vendeve të tjera, por edhe Shqipëria të shprehë solidaritetin ndaj vendeve të tjera. Ne jemi të vendosur që të vijojmë punën tonë. Do ju dorëzoj nga ana jonë një rrugëtim, një plan me punën që do mund të bëjmë ne për të realizuar objektivat e këtij mekanizmi." tha Janez Lenercic.

Mekanizmi  i mbrojtjes civile synon të forcojë bashkëpunimin midis shteteve anëtare të BE -së dhe shteteve pjesëmarrëse në mbrojtjen civile për të përmirësuar parandalimin dhe reagimin ndaj fatkeqësive natyrore. Themeluese e agjencisë është Komisioni Evropian (KE) i cili luan rol kyç në koordinimin e reagimit ndaj katastrofave duke kontribuar me mbi 75% të kostove të transportit. Përveç shteteve anëtare të BE-së, aktualisht janë edhe gjashtë shtete tjera pjesëmarrëse në këtë mekanizëm duke filluar nga Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Turqia, Islanda, Norvegjia dhe Serbia.


Video