Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano ka zhvilluar një takim me drejtorin e Byrosë Federale të Hetimit (FBI) Christopher Wray.
Takimi është zhvilluar në Washington, aty ku Nano ndodhet për një vizitë disaditore pune ku ka zhvilluar dhe takime të tjera të rëndësishme me zyrtarë të lartë të agjencive ligjzbatuese në Amerikë.
Drejtori i Byrosë Federale të Hetimit (FBI) Christopher Wray mirëpriti në takim Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Gledis Nano.
Policia njofton se drejtori i FBI-së Christopher Wray e përgëzoi Nanon, për kurajon dhe profesionalizmin në drejtimin e Policisë së Shtetit dhe i konfirmoi mbështetjen e palëkundër të agjencive ligjzbatuese amerikane për Policinë e Shtetit. Kjo vizitë e Nanos në Washington përforcoi marrëdhëniet e forta dhe bashkëpunuese mes Policisë së Shtetit shqiptar dhe qeverisë së SHBA-së.
Vlen të theksohet fakti se Gledis Nano është zyrtari i parë i Policisë së Shtetit që takon një drejtor të FBI-së. Para pak kohësh një takim me drejtorin e FBI-së e ka tentuar edhe ish-ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj dhe ish-drejtori i Përgjthshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu, por nuk ia arritën dot të zhvillonin një takim kaq të rëndësishëm.
Një tjetër fakt që vlen për t'u theksuar është dhe se Gledis Nano me këtë takim kthehet në Akademinë ku u trajnua si agjent i Antiterrorit. Gledis Nano është trajnuar për 10 javë në Akademinë e FBI-së, duke u vlerësuar shkëlqyeshëm për njohje shumë të mirë të ligjeve, njohuri shkencore në mënyrën e funksionimit, njohuri shumë të mira të terrorizmit, shëndet dhe aftësi fizike shumë të mirë dhe aftësi të larta të lidershipit.
Përveç takimit me drejtorin e FBI-së, Christopher Wray, më herët Nano është takuar edhe me zëvendësndihmësprokurorin e Përgjithshëm, njëkohësisht Këshilltar për Çështjet Ndërkombëtare të Departamentit të Drejtësisë, Bruce Swartz, shefin e Operacioneve të Jashtme të Administratës së Zbatimit të Drogës (DEA), George Papadopoulos, dhe drejtues të lartë nga Byrotë Diplomatike të Departamentit të Shtetit për Sigurinë dhe Çështjet Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit.
Vizita në Uashington theksoi partneritetin SHBA-Shqipëri dhe rëndësinë e luftimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar në Shqipëri, nëpërmjet operacioneve të përbashkëta, trajnimeve dhe bashkëpunimit të ngushtë.