
Gazetari Artan Hoxha ka zbuluar lëvizjet e plota të autorëve që pak pas mesnatës së djeshme sulmuan godinën e Top Channel, duke i marrë jetë rojes Pal Kola.
I ftuar në emisionin “Zona Zero” në Top News, Hoxha zbuloi se autorët kanë kaluar fillimisht para godinës së televizionit për të parë gjendjen, dhe më pas janë rikthyer duke hapur zjarr. Ai tha se ata kanë qëlluar më shumë plumba nga sa janë gjetur, ndërsa shtoi se nëse do ishin futur brenda godinës, pasojat do ishin më të rënda.
Hoxha deklaroi se kanë qenë dy autorë që kanë qëlluar njëkohësisht. Sipas tij, mesazhi që donin të dërgonin autorët ishte krijimi i panik dhe terrorit.
Në lidhje me viktimën, Hoxha tha se një nga predhat e kallashnikovit ka devijuar nga kangjellat dhe ka depërtuar aluminin e kabinës ku ai qëndronte. Sipas tij, roja ka tentuar të hapë derën, ka ecur disa metra dhe ka ndërruar jetë në vend.
"Ata i kanë hedhur një sy njëherë situatës, pasi kanë kaluar njëherë, pastaj kanë marrë kthesë dhe janë rikthyer para godinës, ku me nxitim kanë hapur zjarr. Nga zhurma që dëgjohet nga kamerat live të emisionit “Big Brother”, zbulohet se aty janë qëlluar më shumë plumba se sa gëzhoja janë gjetur. Nëse ata persona do të zbrisnin nga makina dhe do të hynin në godinë, kush do i ndalonte? Jo vetëm Top Channel, por asnjë media nuk merr masa sigurie në këtë mënyrë. Siç thashë ky nuk ka qenë qëllimi i tyre, ata donin të godisnin fasadën e Top Channel U ka dalë jashtë dore viktima që ka humbur jetën.
Një nga predhat e kallashnikovit ka devijuar nga kangjellat dhe ka depërtuar aluminin e kabinës ku ai qëndronte. Viktima ka tentuar që të hapë derën, ndoshta për të shkuar tek roja tjetër. Por nuk ka ecur dot më tej se 7-8 metra dhe ka ndërruar jetë në vend. Autorët nuk kanë pasur ndonjë problem individual, secili nga ju mbaron punën dhe del në rrugë. Mesazhi që ka ardhur mbrëmë ka një domethënie tjetër. Sot duhet të ishin përdorur edhe rrugët e pandershme për të zbardhur ngjarjen. DEA bëri aleancë me Calin për të goditur Escobarin. Sepse është emergjente zbulimi i autorëve dhe sidomos zbulimi i organizatorëve. Nuk është një ngjarje që realizohet aty për aty. Duket se është një ngjarje e mirëmenduar e organizuar. Kemi të bëjmë me urdhërues dhe finacues.
E kam ndjekur ngjarjen që dje, shpresoja që të kishte mundësi ti jepje ndihma e parë. Por kur u afrova pranë godinës, e pashë që ishte e pamundur. Në gjithë skenën, vrasja e tij më del jashtë çdo skenari të mundshëm. Tani para se të vija në studio e pashë sërish ngjarjen. Kanë qëlluar dy automatikë njëherësh. Më duket një duf shumë i madh për të krijuar një situatë e tillë. Hapën zjarr që të krijojnë sa më shumë terror dhe panik. Këtë mesazh donin të dërgonin.”- tha Hoxha.