
Një 29-vjeçar është vënë në prangat e Policisë në në Tiranë, pasi posedonte materiale pornografike me të mitur.
Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike thotë se ai ishte shpallur në kërkim në kuadër të operacionit ndërkombëtar “Stream” me bashkëpunimin e disa agjencive ligjzbatuese dhe Europolit, dhe i shtrirë në disa shtete të BE-së.
Dhjetra persona u arrestuan në vende të ndryshme të BE-së gjatë këtij operacioni dhe qindra-mijëra materiale pornografike me të mitur u asgjësuan. Ky grup operonte online në platforma të ndryshme komunikimi.
Njoftimi i Policisë:
Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike godet një rast të përhapjes së materialeve me përmbajtje pornografike që përfshijnë të mitur.
Në vijim të punës intensive për parandalimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e krimit kibernetik, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike ka ekzekutuar vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për arrestimin e shtetasit M. Z., 29 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Pornografia”, me të mitur.
Arrestimi u krye në kuadër të operacionit policor ndërkombëtar të koduar “STREAM”, kundër shfrytëzimit seksual të të miturve në internet, me pjesëmarrjen e agjencive ligjzbatuese të 35 shteteve, përfshirë Policinë e Shtetit. Operacioni u zhvillua në drejtimin e Policisë Kriminale Shtetërore të Bavarisë dhe të Zyrës Qendrore Bavareze për Ndjekjen e Krimit Kibernetik (ZCB), si dhe me mbështetjen e EUROPOL-it.
Pas informacioneve të ardhura nga autoritetet policore gjermane dhe nga EUROPOL-i, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale, ka kryer veprimet hetimore dhe procedurale që çuan në identifikimin dhe arrestimin e shtetasit M. Z..
Në kuadër të angazhimit të saj për mbrojtjen e fëmijëve dhe të miturve nga abuzimi në internet, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike fton qytetarët, prindërit dhe të rinjtë që të raportojnë çdo rast të dyshuar të shpërndarjes, prodhimit apo konsumimit të materialeve me përmbajtje pornografike që përfshijnë të mitur, si dhe çdo formë tjetër të abuzimit seksual online, te kanalet e mëposhtme të komunikimit:
Email: [email protected]
Telefon: +355 69 415 5552
Portali online: https://asp.gov.al/denonco-krimin-kompjuterik/
Policia e Shtetit garanton anonimat të plotë dhe reagim të menjëhershëm për çdo sinjalizim që lidhet me abuzimin apo shfrytëzimin e të miturve në internet.