Rivalët e drogës do rrëmbenin kreun e një bande shqiptare, Europol shkatërron grupin e mercenarëve letonezë (FOTO)

13 Nëntor 2025, 11:50Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Pamje nga operacioni

Më 12 nëntor 2025, Europol njoftoi se ka mbështetur një operacion të madh ndërkombëtar të udhëhequr nga Gjermania, që çoi në shkatërrimin e një grupi mercenarësh të punësuar nga një rrjet kriminal për të rrëmbyer udhëheqësin e një bande rivale të trafikimit të drogës me origjinë shqiptare.

Operacioni, i cili përfshiu autoritetet ligjzbatuese të Danimarkës, Francës, Letonisë dhe Mbretërisë së Bashkuar, u përqendrua te shtetasit letonezë me përvojë të mëparshme në Legjionin e Huaj Francez.

Këta individë, të trajnuar në mënyrë profesionale dhe të pajisur me mjete të avancuara, vepronin në emër të një organizate të krimit të organizuar që kishte kontraktuar rrëmbimin e kreut të një rrjeti shqiptar droge, pas vjedhjes së disa tonëve kanabis me vlerë miliona euro.

Në ditën e aksionit, katër persona u arrestuan në vende të ndryshme të Evropës – Danimarkë, Francë, Letoni dhe Mbretëri e Bashkuar, ndërsa dy të tjerë, të ndaluar më herët në Gjermani, janë tashmë të dënuar nga gjykata. Europol luajti një rol kyç në koordinimin e aksionit, duke siguruar shkëmbimin në kohë reale të informacionit operativ dhe analizën e të dhënave kriminale.

Ekspertë të Europolit u vendosën në Nisë të Francës, për të ndihmuar hetuesit në terren dhe për të verifikuar të dhënat përmes bazave të të dhënave të agjencisë, duke ofruar pista të menjëhershme që çuan në arrestimet e koordinuara.

Sipas Europolit, ky operacion është pjesë e një trendi në rritje të quajtur “Dhuna si Shërbim”, ku autorë të trajnuar,  shpesh ish-ushtarë ose mercenarë, ofrojnë shërbimet e tyre për të kryer akte të dhunshme për llogari të grupeve kriminale.

Në këtë rast, disa nga të arrestuarit ishin ish-anëtarë të forcave speciale dhe Legjionit të Huaj Francez, të cilët kishin shfrytëzuar përvojën e tyre ushtarake për qëllime kriminale.

Autoritetet europiane paralajmërojnë se ky është një fenomen alarmues që po del në pah pas luftës në Ukrainë, ku ish-luftëtarë të trajnuar mund të përdorin aftësitë e fituara në front për krime të organizuara.

Sipas Europolit, Evropa rrezikon të përballet me një rritje të ndjeshme të mercenarëve të kthyer nga lufta, të cilët mund të angazhohen në aktivitete kriminale për llogari të grupeve mafioze ndërkufitare.



Video