Policia mësyn në servis për arrestimin e Florenc Çapjas: gjen objekte policie, makinë e targa të vjedhura, në kërkim dhe babai i tij

17 August 2022, 10:00Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Policia mësyn në servis për arrestimin e Florenc Çapjas:
Florenc Çapja

Policia e Elbasanit organizuar një aksion për kapjen e të shumë kërkuarit të drejtësisë, Florenc Çapja, duke ushtruar kontrolle në një servis makinash në lagjen "Emin Matraxhiu", në pronësi të babait të tij, 64-vjeçarit Fejzullah Çapja.

Florenc Çapja është shpallur në kërkim pas operacionit "Plumbi i Artë" pas dëshmive të dy të penduarve të drejtësisë Nuredin Dumani dhe Henrik Hoxha. Gjithashtu, ai kërkohet edhe për vrasjen e Gentian dhe Nezir Beqirit në vitin 2012 në Elbasan, teksa vendodhja e tij e fundit e raportuar në media ka qenë Dubai.

Autoritet nuk e kanë gjetur aty Florenc Çapjan, por njoftojnë se gjatë kontrollit të ushtruar në servisin e babait të tij, është gjetur një automjet tip “Alfa Romeo”, pa targa, i cili rezulton i vjedhur në Kavajë, më datë 18 Prill të vitit 2019. Gjithashtu, në vijim të kontrollit, në brendësi të automjetit janë gjetur dhe dy targa, të cilat gjithashtu rezultojnë të vjedhura në Elbasan, më datë 29 Qershor të vitit 2020, fishekë luftarakë dhe një aparat celular.

Ndërsa në ambientet e servisit, uniformat blu kanë gjetur dhe një kapele me stemën e Policisë, si dhe një këllëf për mbajtjen e armëve të zjarrit. Policia dyshon se objektet e gjetura në servis do të përdoreshin për ngjarje kriminale.

Blutë e Elbasanit njoftojnë se në përfundim të veprimeve kanë shpallur në kërkim edhe babain e Florenc Çapjas, Fejzullah Çapja, për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, “Mbajtja pa të drejtë e uniformës” dhe “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”.

Policia njofton se vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e 64-vjeçarit. Nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan dhe SPAK, vijon puna për dokumentimin e veprave penale të grupeve kriminale.


Video