Policia e Vlorës ka dhënë informacion zyrtar lidhur me helmimin masiv të dhjetra turistëve në qytetin e Vlorës.
Sipas policisë, 41 turistë polakë kanë mbërritur në Spitalin e Vlorës për ndihmë mjekësore.
Policia thotë se prokuroria në bashkëpunim me specialistët e AKU-së po hetojnë për zbardhjen e shkaqeve të helmimit.
“Rreth orës 20:10, në spitalin e Vlorës, janë paraqitur për ndihmë mjekësore, me simptoma helmimi nga ushqimi, 41 shtetas polakë (turistë), të cilët janë jashtë rrezikut për jetën.
Nga verifikimet paraprake rezulton se këta shtetas, gjatë ditës së sotme, kanë qenë me guidë, me anije turistike, në ishullin e Sazanit.
Grupi hetimor i ngritur për këtë rast, në bashkëpunim me specialistë të AKU-së dhe në drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për përcaktimin e shkakut të helmimit të këtyre shtetasve”, bën me dije policia në informacionin paraprak për media.