Pamjet filmike/ Inceneratori i Fierit 98% i përfunduar, ndryshe nga akuzat e SPAK për punime fiktive

1 Dhjetor 2022, 19:52Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Inceneratori i Fierit

Gazetarët dhe kamerat e Report Tv për herë të parë kanë hyrë brenda inceneratorit të Fierit, për t'u treguar shqiptarëve situatën dhe realiteti e një prej çështjeve që ka prodhuar një sherr të paprecedentë politik, gjysmë të vërteta, dosje penale, akuza dhe arrestime.

Siç edhe do ta tregojnë pamjet hap pas hapi, deri sot është realizuar 98 % e investimit me vlerë 32.8 milionë euro nga buxheti i shtetit. Një raport vlerësimi nga ekspertë të SPAK, tregon se vlera e investimit është gati sa vlera e financimit nga buxheti i shtetit, duke vënë në pikëpyetje akuzat për përvetësimin e parave publike.

Inceneratori fillon nga ky kapanon që hyjnë makinat me mbeturina. Këtu bëhet transportimi i mbeturinave, të cilat kalojnë tek grirësi.

Kjo makineri copëton mbeturinat, duke i kaluar në një proces të gjatë. Vazhdon ngarkimi i mbetjeve tek linja e selektimit. Tek kjo linjë grup punëtorësh heqin pjesët metalike. Pjesët e vogla të metaleve që nuk pikasen nga punonjësit, kalojnë dhe kapen nga ky transportier magnetik.

Më pas, mbetjet kalojnë tek kjo dhomë e madhe e depozitimit të mbetjeve, që janë gati për t'u djegur. Këtu viçi merr mbetjet dhe i fut tek hinka, e cila i fut tek furra e djegies. Tek hinka hidhen mbeturinat për t'u djegur. Në fund është një piston që i shtyn mbetjet në furrën e djegies.

Dhoma e djegies

Dhoma e djegies është ndërtuar sipas teknologjisë së fundit, ngjashme me dhomat e inceneratorëve në vendet e BE. Janë tre ndezës me naftë që mundësojnë rritjen e temperaturës deri në 1 mijë gradë në dhomën e djegies. Kur shkon temperatura 1 mijë gradë, futen mbeturinat në dhomën e djegies.

Përmes çlirimit të energjisë nga djegia e mbeturinave, ngrohet një kaldajë me ujë. Uji kalon përmes një avullesi, që e kthen ujin në avull. Avulli arrin parametrat për t'u futur në një turbinë nëpërmjet tejnxehësi, që e çon temperaturën optimale për fletët e turbinës.

Avulli vendos në lëvizje turbinën, ndërsa turbina vendos në lëvizje gjeneratorin dhe prodhohet energji elektrike. Ky është transformatori i cili konverton energjinë nga 6.3 kv në 35 kv, duke u lidhur me rrjetin e OSHEE.

Çfarë ndodh me avullin?

Avulli që del nga trubina kthehet sërish në ujë dhe futen sërish në kaldajë për t'u kthyer në avull.


Këtu poshtë është impianti i pastrimit të ujit. Impianti bën gati ujin për kaldajën. Në këtë godinë, ka edhe një kompresor ajri për valvulat që kontrollojnë të gjithë procesin.


Tymi kthehet në hi

Nga procesi i djegies së mbeturinave ka zero ndotje, zero tym. Tymi që del nga djegia e mbeturinave, kalon në këtë kullë reaksioni. Në kullën e reaksionit injektohet gëlqere pluhur dhe karbon aktiv, të cilat kapin grimcat e hirit. Më pas vjen blloku i filtrave, që përbëhet nga 6 filtra me mëngë. Ky filtër kthen tymin në hi. Hiri shkarkohet këtu dhe hidhet në kamion.Të gjitha pajisjet kanë ardhur nga firmat më të njohura italiane. Ky është një oxhak që jep sinjalin e kuq nëse ka ndotje. Në oxhak janë disa sensorë nga firma Siemens të montuat, që matin në kohë reale cilësinë e ajrit për ndotje.

Video