Operacioni i SPAK u dekonspirua? AMP nis hetimin për rrjedhje informacioni

20 May 2022, 20:07Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Operacioni i SPAK u dekonspirua? AMP nis hetimin për rrjedhje informacioni
SPAK dhe RENEA

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore bën me dije se ka nisur hetimet për të verifikuar nëse ka patur apo jo rrjedhje informacioni gjatë operacionit "Golden bullet" ku SPAK lëshoi 32 urdhër-arreste për personazhet e botës së krimit, por vetëm 9 prej tyre u arrestuan, pasi 9 të tjerë ndodheshin në qeli, ndërsa 14 janë ende në kërkim.

Ka dyshime të forta se operacioni i SPAK mund të jetë dekonspiruar pasi prangave arritën t'ju shpëtonin "kokat" e krimit si Ervis Martinaj, Suel Çela, Talo Çela, Eljo Bitri, Kamer Mehja, Florenc Çapja, etj.

AMP shprehet se do të hetojë me seriozitetin maksimal çdo dyshim për rrjedhje të mundshme të informacionit nga punonjës të policisë, si edhe çdo përfshirje nëse ka, në aktivitete të paligjshme.

"Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) po verifikon çdo dyshim nëse ka patur rrjedhje informacioni, gjatë operacionit të zhvilluar nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Policia e Shtetit, në kuadër të procedimit penal nr.75/2022, përmes të cilit u caktuan dhe ekzekutuan masat e sigurimit personal të karakterit shtrëngues “Arrest në burg” për 32 shtetas, mes tyre edhe një punonjës policie.

Në përfundim të këtij operacioni, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore siguron opinionin publik dhe mediat se do të hetojë me seriozitetin maksimal çdo dyshim për rrjedhje të mundshme të informacionit nga punonjës të policisë, si edhe çdo përfshirje nëse ka, në aktivitete të paligjshme.

AMP mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit, duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 9090." thuhet në njoftimin e AMP-së.


Video