Nuredin Dumani mund të konsiderohte si një "minierë ari" për drejtësinë shqiptare, mbi informacionin e dhënë për grupet kriminale shqiptare dhe krimet e regjistruara ndër vite.
Nga dëshmitë e tij dhe të Henrik Hoxhaj janë zbardhur dhe vrasja e Elvis Dedajt dhe nënës së tij, Fatmira Deda, ngjarje të ndodhura në vitin 2012 dhe 2013.
Sipas të dhënave nga dosja hetimore, Elvis Deda është ekzekutuar në një atentat më 5 Qershor të vitit 2012 në Golem nga miku i Dumanit, Henrik Hoxhaj dhe Fatmir Qoli, i shpallur në kërkim. Mbi të u derdhën breshëri plumbash, teksa ndodhej në mjetin e tij tip BMV me targa AA 481 CT. Makina e autorëve (Henrik Hoxhajt dhe Fatmir Qolit) është gjetur e braktisur pas ngjarjes, teksa dhe viktima Elvis Deda kishte qenë i armatosur. Dedaj ishte i shumëkërkuar i Interpolit dhe akuzohej për trafik ndërkombëtar droge. Emri i tij ishte i skeduar edhe në Belgjikë.
Të njëjtin fat si djali i saj i vetëm, pësoi dhe Fatmira Dedaj. Teksa i rezistoi ekzekutimit mafioz të të birit të saj, një vit më pas ajo u masakrua në garazhdin e pallatit në të cilin banonte. Autorët i kanë zënë pritë sapo ajo ka tentuar të zbresë nga makina, duke e kanë qëlluar me mjete të forta. Ajo ka tentuar tu ikë nga kthetrat, por autorët e kanë goditur dhe me kaçavidë. Ngjarja është mësuar shumë vonë nga fqinjët e pallatit, ndërsa zhurma e borisë së mjetit të saj, mbetur takuar, ka mbytur ulërimat e saj.
Sipas dëshmisë së dhënë nga të penduarit e drejtësisë, autori i vrasjes së Fatmira Dedajt është Talo Çela. Arsyeja e vrasjes ka qenë pasi, Fatmira kërkonte drejtësi për djalin e saj të vetëm Elvis Dedaj.