
Mbledhja e Gjyqtarëve në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, KPA ka vendosur të hënën më 7 shkurt të pezullojë nga detyra anëtarin Ardian Hajdari.
Hajdari është pezulluar pasi është marrë i pandehur nga Prokuroria Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Ardian Hajdari është anëtari i dytë i Kolegjit që pezullohet, pas Luan Dacit i cili dhe u shkarkua pasi u deklarua fajtor me vendim të formës për falsifikim të formularit të aplikimit për një pozicion në institucionet e vetingut.
Më 24 qershor 2020, Daci dhe Hajdari u kallëzuan penalisht në Prokurorinë e Posaçme, SPAK me pretendimin se kishin gënjyer në aplikimet e tyre për t’u zgjedhur anëtarë të KPA-së përmes “falsifikimit të dokumenteve”.
Kallëzimi penal u krye nga tre magjistratë të shkarkuar gjatë vetingut; nga ish-prokurorët Antoneta Sevdari dhe Elsion Sadiku si dhe ish-gjyqtari Ervin Metalla.
Daci u akuzua se kishte fshehur shkarkimin nga detyra në vitin 1997 dhe se kishte deklaruar para komisionit Ad Hoc se ishte larguar nga sistemi i drejtësisë me dorëheqje, ndërsa Hajdari për deklaratën se kishte një eksperiencë 17 vjeçare si avokat.
Po ashtu, kallëzuesit pretendonin se dy anëtarët e KPA kishin konsumuar edhe elementët e veprave penale “fshehje e të ardhurave” dhe “refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”.