Policia Rrugore e Tiranës ka shoqëruar ditën e sotme në komisariat personazhin e njohur të rrjeteve sociale Aleks Visha, pas pamjeve që bënë xhiron e rrjetit ku shfaqej duke drejtuar automjetin e tij tip "Lamborghini" me mbi 300 km/h tek tuneli i rrugës së Kombit në Kukës. Policia i vendosi 100 000 lekë të reja masë administrative.
Por, gjatë momentit të shoqërimit, Visha duket se ka sfiduar edhe njëherë policinë duke bërë video për TikTok teksa po drejtonte makinën, me muzikë të lartë e duke tymosur.
"Qarkulloi me shpejtësi 305km/h, në tunelin e Kalimashit, Policia Rrugore e Tiranës identifikon dhe bllokon automjetin "Lamborghini".
Shoqërohet në Komisariatin Rajonal të Policisë Rrugore Tiranë, drejtuesi i automjetit, shtetasi A. V.
Pas publikimit në rrjetet sociale, të një videoje në të cilën shfaqej një automjet që qarkullonte me shpejtësi 305 km/h, Policia Rrugore e Tiranës ka intensifikuar punën për identifikimin e automjetit dhe të drejtuesit të tij. Në bazë të pamjeve filmike të siguruara, është identifikuar dhe ndaluar automjeti tip "Lamborghini" me drejtues shtetasin A. V., të cilin e Policia e ka shoqëruar në Komisariat.
Ndaj drejtuesit të automjetit u mor masë administrative 100 000 lekë të rinj.
Policia Rrugore e Tiranës apelon për drejtuesit e automjeteve që të zbatojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor dhe apelon gjithashtu për ndalimin e publikimeve që kanë karakter joedukativ për sigurinë rrugore." thuhej në njoftimin e Policisë.