Policia Rrugore e Tiranës ka reaguar në lidhje me videon që bëri xhiron e rrjetit ku personazhi i njohur i rrjeteve sociale Aleks Visha drejtonte automjetin e tij tip "Lamborghini" me mbi 300 km/h tek tuneli i rrugës së Kombit në Kukës, teksa bashkë me të ndodhej dhe reperi Kleviol Ahmeti (Cllevio Serbiano).
Blutë e rrugores bëjnë me dije se Aleks Visha është shoqëruar në komisariat dhe është gjobitur me 100 000 lekë të reja (1 milionë lekë të vjetra) dhe i është bllokuar mjeti. Siç duket nuk ka heqje patente për Vishën, pavarësisht shepjtësisë "skëterrë".
Njoftimi:
Qarkulloi me shpejtësi 305km/h, në tunelin e Kalimashit, Policia Rrugore e Tiranës identifikon dhe bllokon automjetin "Lamborghini".
Shoqërohet në Komisariatin Rajonal të Policisë Rrugore Tiranë, drejtuesi i automjetit, shtetasi A. V.
Pas publikimit në rrjetet sociale, të një videoje në të cilën shfaqej një automjet që qarkullonte me shpejtësi 305 km/h, Policia Rrugore e Tiranës ka intensifikuar punën për identifikimin e automjetit dhe të drejtuesit të tij. Në bazë të pamjeve filmike të siguruara, është identifikuar dhe ndaluar automjeti tip "Lamborghini" me drejtues shtetasin A. V., të cilin e Policia e ka shoqëruar në Komisariat.
Ndaj drejtuesit të automjetit u mor masë administrative 100 000 lekë të rinj.
Policia Rrugore e Tiranës apelon për drejtuesit e automjeteve që të zbatojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor dhe apelon gjithashtu për ndalimin e publikimeve që kanë karakter joedukativ për sigurinë rrugore.