Mjekësia në zi për Edi Tushen! Doktori i mijëra foshnjave jetoi me dhimbjen e mungesës së djalit për 22 vjet

16 Qershor 2026, 07:49Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Një lajm i trishtë ka prekur komunitetin mjekësor dhe mijëra familje shqiptare. Është ndarë nga jeta doktori i njohur neonatolog Edi Tushe, një prej figurave më të respektuara të mjekësisë shqiptare dhe një nga pionierët e shërbimit neonatologjik në vend.

Për dekada me radhë, doktor Edi Tushe ka qenë pranë brezave të tërë të fëmijëve dhe prindërve shqiptarë, duke u kthyer në një emër të dashur dhe të besuar për kujdesin ndaj të porsalindurve. Me profesionalizmin, përkushtimin dhe humanizmin e tij, ai fitoi respektin e kolegëve dhe mirënjohjen e mijëra familjeve.

Përveç kontributit të tij të çmuar si mjek pediatër dhe neonatolog, ai ka luajtur një rol të rëndësishëm në themelimin dhe zhvillimin e shërbimit neonatologjik në Shqipëri. 

Në tetor 2025, ai rrëfeu jetën e tij gjatë një interviste personale në “Galeri” me Edi Manushi.

Pediatri i njohur ndau me publikun detajin e trishtë që nuk komunikonte me të birin prej 22 vitesh.

“Jam përpjekur të lidhem edhe me njerëzit e ish-bashkëshortes sime, sepse kam një marrëdhënie të mirë me ta. Ai është në Kanada. Nuk është e lehtë t’i shpëtosh një indoktrinimi të caktuar. Të gjithë ata që ikën bashkë me djalin tim atje, i kanë prerë të gjitha marrëdhëniet me Shqipërinë,” u shpreh Tushe.

Mjeku pediatër tregoi se i biri, Idliri, dikur kishte shprehur dëshirën për të ndjekur rrugën e tij profesionale.

“Im bir e pa në Tiranë se sa e donim ne. Ka dhe një foto nga zyra ime dhe aty mori dëshirën për të vazhduar mjekësinë,” – tha ai, duke shtuar se nuk di ta shpjegojë arsyen e shkëputjes.

Në fund të intervistës, Tushe përcolli një mesazh prekës për të birin:

“Ai është djali im. Do doja ta kisha në krahë dhe të jetë i lumtur, i arrirë në jetë, t’i ketë realizuar ëndrrat e tij. Kjo do ishte e vetmja gjë që do të doja për të. Unë vetë kam vuajtur, dhe vuajtjet e bëjnë njeriun më të butë, më të ëmbël, por ndonjëherë edhe më të ashpër. Varet se si e sheh jetën.”

 


Video