Mister paratë e polakut që vdiq në Tiranë, ku u zhdukën 37 milionë dollarë?

28 July 2022, 20:36Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Mister paratë e polakut që vdiq në Tiranë, ku u zhdukën
Andrzej Izdebski

Shtohet misteri se ku kanë përfunduar miliona dollar paguar nga qeveria polake tregtarit të armëve Andrzej Izdebski,  që u nda nga jeta në Tiranë një muaj më parë. Në Shqipëri ai bënte një jetë modeste larg restoranteve të shtrenjta.

Miqtë e tij treguan se ai gatuante çdo ditë dhe bënte një jetë jo prej milioneri.

Sipas procesverbalit të Policisë, në apartamentin e marrë me qira tek "Palletet Agimi" është gjetur portofoli i Andrzej Izdebskit me vetëm 12.000 lekë si dhe janë administruar në cilësinë e provës dy telefona celularë.

Sakaq miqtë e tij i thanë gazetarit të TCH, Muhamed Veliu,  se Andrzej Izdebski kishte patur probleme në pagesën e qerasë dy muajt e fundit.

Këto të dhëna për jetën e tij modeste në Shqipëri ngrenë pikëpyetjen se ku shkuan 37 milionë dollarët e pakthyera nga i ndjeri Izdebski qeverisë polake e cila bëri një parapagim prej 53 milion dollarë për të siguruar  1,241 respiratorë.

Sipas medies polake, ai i ktheu qeverisë polake vetëm 16 milion dollarë. Gazeta “Fakt” shkruan se me të gjitha gjasat, Andrzej Izdebski ishte thjesht një person figurant në këtë histori e cila është kthyer në një mega skandal në Poloni.

Sipas gazetës, paratë mund të kenë përfunduar tek tjerë persona pse jo zyrtarë polak. Kjo gazetë ka zbuluar edhe një fakt tjetër që komprometon prokurorinë Polake e cila e shpalli Andrzej Izdebski person në kërkim në mars 2022.

Një mik i Andrzej Izdebski i  tha gazetës Fakt se gjatë vitit 2022 ai kishte dhënë dëshmi në dy raste përmes video-call nga ambasada polake në Tiranë, prokurorëve që po hetonin këtë skandal.

Policia shqiptare refuzon ti përgjigjet pyetjes nëse për Andrzej Izdebski  përmes Interpol Varshavës,  kishte marrë urdhër-arrestin ndërkombëtar lëshuar nga prokurorët polak në Mars 2022.


Video