Ministria e Mbrojtjes ka bërë të ditur se deri në orën 20:00 të mbrëmjes së sotme janë evidentuar shtatë vatra zjarri në të gjithë vendin.
Pesë prej tyre vijojnë të jenë aktive, ndërsa dy të tjera janë nën monitorim. Në operacionet për shuarjen dhe izolimin e flakëve janë angazhuar rreth 130 forca operacionale vendore, 90 efektivë të Forcave të Armatosura dhe dy helikopterë të Forcës Ajrore.
Vatrat aktive janë raportuar në Dajt dhe Priskë të Tiranës, Lufaj të Mirditës, Tërbun–Gojan të Pukës dhe Shashicë të Selenicës. Situata më e ndjeshme paraqitet në Tërbun–Gojan, ku erërat e forta kanë favorizuar përhapjen e zjarrit. Pavarësisht situatës, deri në këto momente nuk raportohet rrezik për zonat e banuara në vatrat kryesore.
Ndërkohë, zjarri në Gurë-Lurë është shuar, ndërsa vatra në Qafë Helmes është izoluar dhe vijon të monitorohet. Strukturat e Mbrojtjes Civile vijojnë operacionet në terren me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave dhe izolimin e plotë të vatrave aktive.
Njoftimi i Ministrisë së Mbrojtjes
Ministria e Mbrojtjes – përditësim mbi situatën e zjarreve
Ministria e Mbrojtjes informon se deri në orën 20:00, janë evidentuar 7 vatra zjarri, nga të cilat 5 mbeten aktive dhe 2 janë nën monitorim.
Në terren janë angazhuar rreth 130 forca operacionale vendore, ndërsa Forcat e Armatosura mbështesin operacionet me 90 efektivë dhe 2 helikopterë të Forcës Ajrore.
Vatrat kryesore aktive janë në Dajt dhe Priskë, Tiranë, Lufaj, Mirditë, Tërbun–Gojan, Pukë dhe Shashicë, Selenicë.
Në Dajt vijon operacioni me 50 efektivë të FA, 15 forca të MZSH dhe 5 forca të AZM, ndërsa në Priskë vijojnë të jenë të pranishme forcat e MZSH. Në të dyja zonat nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Në Lufaj, vatra mbetet aktive me intensitet të ulët, me angazhimin e Shërbimit Pyjor dhe MZSH, pa rrezik për banesat.
Situata më e ndjeshme paraqitet në Tërbun–Gojan, ku era e fortë ka favorizuar përhapjen e zjarrit. Forcat operacionale vijojnë punën në terren dhe MZSH është përqendruar në mbrojtjen e banesave. Aktualisht nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.
Ndërkohë, në Gurë-Lurë zjarri është shuar dhe zona mbahet nën monitorim, ndërsa në Qafë Helmes vatra është izoluar dhe vijojnë operacionet me forcat lokale.
Strukturat e Mbrojtjes Civile vijojnë angazhimin e koordinuar në të gjitha vatrat, me prioritet mbrojtjen e jetës dhe banesave dhe izolimin e plotë të zjarreve aktive.