Meta reagon për seancën paraprake në GJKKO: Çfarë kuptuan më në fund prokurorët e SPAK

22 Janar 2026, 19:59Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Ilir Meta

Është zhvilluar sot seanca paraprake në Gjykatën e Posaçme AntiKorrupsion (GJKKO) ndaj ish-Presidentit Ilir Meta dhe Monika Kryemadhit.

Gjyqi i radhës do të mbahet më datë 29 janar. Derisa çështja të kalojë për gjykim, seancat do të mbahen çdo të enjte në orën 10:00.

Për seancën ka reaguar nga qelia edhe ish-presidenti Ilir Meta.

Fillimisht ai bën një sqarim, duke thënë se seanca nuk është shtyrë, por se seanca paraprake filloi pas insistimit të tij.

Në reagimin e publikuar në rrjetet sociale, Meta thotë se “prokurorët më në fund kuptuar dallimin mes METE-s Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës) dhe Metës”.

Gjithashtu Meta i ka bërë thirrje ministritë të Drejtësisë të mos bëhet pengesë për të dhënë intervista, pasi SPAK u kanë dhënë leje gazetarëve.

“Seanca paraprake filloi. Prokurorët më në fund kuptuar dallimin mes METE-s Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës) dhe Metës

I ftoj të gjitha mediat të jenë korrekte dhe të mos shpërndajnë dizinformacione, sikur gjoja seanca paraprake ndaj Ilir Metës është shtyrë për javën tjetër.

JO!

Më në fund seanca paraprake u zhvillua edhe pse mungonte një nga të bashkëpandehurit dhe avokatët e tij.

Ishte insistimi im që kjo seancë më në fund të fillonte dhe e falenderoj gjyqtaren e seancës paraprake që e mori këtë vendim.

Për 4 orë kemi dëgjuar prokurorët që lexonin akuzat e tyre për CEZ-DIA, që ishin siç ju a kanë shpërndarë më 21 tetor 2024.

U detyruam të ndërhynim disa herë, jo për t'i ndërprerë prokurorët, por për t'i ndihmuar të mos gënjejnë para gjykatës.

Afera e CEZ-DIA, ku shteti shqiptar ka fitim se ka humbur rreth 1.1 milion euro por ka fituar mbi 4 milion euro.

Arritja më e madhe është se prokurorët pas 8 vitesh hetime kuptuan më në fund dallimin midis METE- (Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës) dhe Metës sepse vazhdimisht i referoheshin METE-s si Meta.

Kishte dhe plot arritje të tjera, por këto mund t'i sqarojnë avokatët.

Kështu që SEANCA NUK U SHTY, SEANCA FILLOI.

Edhe prokurorët e kuptuan që METE nuk është Meta.

Seanca tjetër u la pas një jave edhe pse kërkova të bëheshin dy seanca në një javë.

Ilir Meta, as i është shmangur drejtësisë, as nuk bëj lojra për shtyrje seancash.

Në fund të gjithë kësaj farse kriminale të diktuar nga "Palloshi i gjatë" do të dalë, jo vetëm që METE nuk është Meta, por që ILIR META ËSHTË E VËRTETA.

Sidoqoftë dua t'i falenderoj prokurorët e SPAK që u kanë dhënë leje gazetarëve për të më intervistuar dhe e ftoj Ministrin e Drejtësisë të mos bëhet më pengesë sepse jo vetëm Navalny dhe Khodorkovsky kanë dhënë intervista në burgjet e Rusisë, por edhe në Shqipëri, jo vetëm politikanë të paraburgosur dhe të burgosur, por edhe të dënuar me burgim të përjetshëm kanë dhënë intervista televizive sepse çdo qytetar, sidomos çdo politikan, ka jo vetëm të drejta por edhe detyrë t'i përgjigjet çdo gazetari dhe media në interes të opinionit publik dhe të llogaridhënies”, shkruan Meta në rrjetet sociale.

Meta akuzohet për tre vepra penale, të cilat iu komunikuan më 4 gusht 2025, sa i përket dosjes CEZ/DIA dhe lobimit në SHBA.

Ai akuzohet për fshehje pasurie, pastrim parash dhe korrupsion.

Ish-presidenti ndodhet në paraburgim që prej tetorit të vitit 2024, ndërsa Kryemadhi është nën masën e detyrimit për paraqitje. Dosja “Meta” përfshin gjithashtu hetime ndaj nënës së Kryemadhit, Pirro Xhixhos dhe Ema Çokut.


Video