U vodhën 15 milionë euro europianëve me Call Center-at, Apeli prish vendimin e GJKKO-së për dy të rinjtë

22 Janar 2026, 15:41Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Godina e GJKKO

Gjykata e Posaçme e Apelit ka prishur vendimin e shkallës së parë për J.M dhe M.D, të akuzuar për një skemë mashtrimi me “Call Center”, ku u vodhën rreth 15 milionë euro qytetarëve europianë.

Apeli e ka kthyer çështjen në shkallë të parë dhe gjykimin me një tjetër trupë gjykuese.

GJKKO i dënoi dy personat gjithsej me 23 vite burg për disa vepra penale, ku përfshiheshin akuza për mashtrim kompjuterik, pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal, pastrim parash dhe fshehje të ardhurash.

Skema e mashtrimit me anë të Call Center-ave, u zbulua në dhjetor të 2022 pas një operacioni të SPAK-ut në bashkëpunim me autoritetet italiane.

Dy personat në fjalë u akuzuan si pjesë e një grupi kriminal kanë arritur të përvetësojnë nëpërmjet mashtrimit 15 milionë Euro. Të mashtruar rezultojnë të jenë kryesisht shtetas italianë, por aktivitetet e tyre të Call Center-ave kishin zgjeruar veprimin e tyre edhe në Gjermani dhe Spanjë.

Nëpërmjet telefonit ata bindnin qytetarët europianë të investonin në bursa inekzistente, me premtimin se do të merrnin norma të larta fitimi.

 


Video