Kryeministri Edi Rama ka vizituar sot familjen e heroit 18-vjeçari Anri Kashiku, i cili humbi jetën ditën e djeshme në Durrës, pasi hyri në det për të shpëtuar vëllain dhe shokun e tij.
Sot familja e Anri Kashikut ka hapur dyert e mortit për të përcjellë djalin e tyre. Të tre me lule në duar, Rama shoqërohej nga ministrja e Turizmit, Mirela Kumbaro dhe kryebashkiakja e Durrësit, Emiriana Sako, të cilët i kanë shprehur ngushëllime familjes.
Qeveria e ka shpallur Anri Kashiku “Dëshmor të Atdheut”, ku kryeministri Rama i dorëzoi certifikatën babait të 18-vjeçarit.
"Në familjen e Anri Kashikut, heroit që dha jetën e vet për të shpëtuar dy jetë, vëllain e vogël dhe shokun e tij." - shkruan Rama në postimin e tij.
Anri Kashiku nuk u mendua dy herë kur pa vëllain e tij dhe shokun teksa po hasnin vështirësi për shkak të dallgëve në Durrës. Ai u hodh menjëherë duke i shpëtuar, por për fat të keq nuk arriti të dalë. Trupi i pajetë u nxorr pas disa orësh kërkime nga polumbarët.