Ilir Meta reagon për raportin e IFIMES: Drejtësia po përdoret si zgjatim i narkopushtetit

4 Shkurt 2026, 21:24Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Ilir Meta

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka reaguar pas publikimit të studimit të Institutit Ndërkombëtar për Studime të Lindjes së Mesme dhe Ballkanit (IFIMES), i cili analizon standardet e të drejtave të njeriut dhe funksionimin e drejtësisë në Shqipëri, me fokus të veçantë në rastin e tij.

Në reagimin e tij, Meta falënderon IFIMES për atë që e cilëson si një analizë të thelluar, transparente dhe objektive, duke theksuar se studimi pasqyron qartë degradimin e shtetit të së drejtës në vend.

“Falenderoj IFIMES për transparencën e thelluar dhe shumë objektive, që i bën këtij rasti kuptimplotë dhe që paraqet pa asnjë ekuivok degradimin total të shtetit të së drejtës dhe përdorimin e drejtësisë si zgjatim i narkopushtetit për persekutimin dhe izolimin e kundërshtarëve politikë,” shprehet Meta.

Ai shton se, sipas tij, këto janë përpjekje të dështuara jo vetëm të atyre që, siç thotë ai, i ndërmarrin këto veprime, por edhe të atyre që “i mbyllin sytë” ndaj situatës.

Në përfundim të reagimit, Ilir Meta shprehet i bindur se demokracia do të triumfojë: “Demokracia absolutisht do të fitojë sepse jemi të vendosur me çdo çmim për triumfin e saj!”

 

 

 


Video