
Një raport i fundit nga Instituti Ndërkombëtar për Studimet e Lindjes së Mesme dhe Ballkanit (IFIMES), e ka cilësuar arrestimin e Ilir Metës si një shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut dhe cenim të parimit të prezumimit të pafajësisë.
Por, më e rëndë se mënyra e arrestimit të Ilir Metës, a thua ishte ndonjë kriminel ordiner, është sjella e institucioneve shtetërore.
Disa herë, vetë Ilir Meta, por dhe deputetët e Partisë së Lirisë, kanë denoncuar mohimin e çdo të drejte ndaj tij, madje edhe të flasë.
Po, të flasë!
Këtë e tregon më së miri rasti i fundit, kur dy prokurorët e SPAK, Sotir Kllapi dhe Arben Kraja, kanë dhënë leje që Ilir Meta të japë një intervistë mediatike brenda qelisë në Burgun “313”.
Por Drejtoria e Burgjeve e ka refuzuar këtë kërkesë, me argumentin se realizimi i intervistës kërkon masa të veçanta shoqërimi, izolimi dhe monitorimit, dhe burgut "313" do t’i duheshin të angazhonte burime njerëzore dhe logjistike shtesë.
“Sipas informacionit të përcjellë nga ky institucion, nga analiza e kryer rezulton se realizimi intervistës kërkon masa të veçanta shoqërimi, izolimi dhe monitorimi, të cilat, në kushtet aktuale në të cilat ndodhet institucioni, do angazhonin burime njerëzore dhe logjistike shtese, duke krijuar vështirësi në garantimin e rendit të zakonshëm dhe funksionimin normal të shërbimeve të sigurisë, për shkak të dinamikës aktuale, ngarkesës dhe pamjaftueshmërisë së ambienteve në regjimin e brendshëm”, thuhet në shkesën e Burgjeve.
Tani nuk kuptohet se pse burgut do t’i duheshin masa shtesë në burime njerëzore dhe logjistikë për intervistën e Ilir Metës, pasi aty do të shkonte vetëm një gazetar dhe një kameraman.
Dhe intervista mund të bëhej edhe brenda qelisë së Ilir Metës, pa u marrë asnjë masë shtesë.
Ky në fakt, është rasti me i fundit i një sërë shkeljesh jo vetëm ndaj Ilir Metës, por dhe politikanëve të tjerë si Erion Veliaj, të cilët nuk i lejojnë të takohen as me familjarët e tyre, jo më për gjë tjetër.
Tani jo për gjë, por me këto veprime, nga të pandehur, Ilir Metën me shokë rrezik na i kthejnë të përndjekur politikë, madje larg qoftë, edhe heronj.
Ndryshe nuk ka si të shpjegohet kjo lloj sjellje, e cila veç njerëzore nuk është!
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016