Policia e Vlorës ka arrestuar dy të rinj pas operacionit të koduar "ECSTASY 22". Ervis Bruçi, 21 vjeç dhe shtetasi i Kosovës, Rron Berisha 26 vjeç u kapën në flagrancë me një sasi të konsiderueshme droge jotradicionale.
Të rinjve u është sekuestruar 26 gram drogë e dyshuar MDMA dhe 141 tableta të dyshuara si lëndë narkotike ekstazi.
Njoftimi i Policisë
Në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në DVP Vlorë, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale të DVP Vlorë, u organizua dhe u finalizua me sukses operacioni policor i koduar "ECSTASY 22", në kuadër të të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:
- E. B., 21 vjeç; E. M., 17 vjeç, banues në Tiranë dhe Rr. B., 26 vjeç, banues në Prishtinë, për veprën penale "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve".
Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit fizik ndaj shtetasve E. B. dhe E. M., si dhe kontrollit të ambientit, ku ishin akomoduar këta shtetas, gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 26 gr lëndë e dyshuar narkotike e llojit MDMA, 61 tableta të dyshuara narkotike të llojit Ecstasy si dhe një shumë parash. Në vijim të veprimeve policore, gjatë kontrollit fizik të shtetasit Rr. B., shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, edhe 80 tableta të dyshuara narkotike të llojit Ecstasy.