
Në Tiranë u zhvillua këtë të shtunë Parada e Krenarisë, ku në bulevard dhe sheshin Skënderbej marshuan me flamujt e LGBT+ aktivistë të shoqërisë civile, pjesëtarë të komunitetit LGBT+ si dhe ambasadorë e përfaqësues të trupit diplomatik në Shqipëri.
Mes pjesëmarrësve ishte edhe Ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim. Ambasadorja shprehu entuziazmin dhe krenarinë për organizatorët dhe pjesëmarrësit në këtë marshim.
“Çdokush ka të drejtë që të jetojë me dinjitet. SHBA është krenare që mbështet marshimin e LGBTI+, si një çështje e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut. më vjen mirë që pashë në këtë marshim Avokaten e Popullit, Erinda Ballanca, Ambasadorë të BE dhe shumë miq të tjerë. Urime Aleanca LGBT dhe themelueses Xheni Karaj për çmimin e mbrojtëses së të drejtave të njeriut për 2022”, shkroi Kim.
Në një postim në faqen zyrtare, Ambasada e SHBA shkruan se “Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara ndaj të drejtave të njeriut dhe lirive themelore për të gjithë personat si parime kushtetuese që vazhdojnë të udhëheqin diplomacinë amerikane. Presidenti Biden publikoi këtë vit Memorandumin për Përparimin e të Drejtave të Njeriut të Personave Lezbike, Homoseksualë, Biseksualë, Transgjinorë, Queer dhe Interseks anembanë botës”.
Parrulla kryesore e marshimit ishte “Ne jemi familje”.









