Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar kërkesat e ish-ministrit të Mjedisit, Lefter Koka, i cili kërkonte shfuqizimin si antikushtetues të dy vendimeve të Gjykatës së Lartë ndaj tij.
Në ankimin e depozituar, Koka kërkoi shfuqizimin e vendimit të marrë nga Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë që rrëzoi kërkesën e bërë për ndryshimin e masës së sigurisë “arrest me burg” të marrë nga Apeli i GJKKO-së më 5 janar 2023. Sipas Kokës, vendimi i marrë ishte i papajtueshëm me Kushtetutën e Shqipërisë.
Po ashtu, Koka kërkoi shfuqizimin e vendimit të marrë dhe dërgimin për rishqyrtim në Gjykatën e Lartë.
Koka aktualisht ndodhet në burg pasi është shpallur fajtor për aferën e inceneratorëve, atë të Elbasanit dhe Fierit.
Ish-Ministri i Mjedisit Lefter Koka u dënua me 6.8 vite burg nën akuzat për korrupsion e pastrim parash, vendim i marrë në shtatorin e vitit të shkuar.