
Në vitin 2020, policia franceze u infiltrua në një shërbim telefonik të koduar që përdoret gjerësisht nga kriminelët në Europë.
Pas dekripitimit të një pjese të komunikimeve policia shqiptare arrestoi dhjetëra persona, kryesisht në atë që cilësohet si dosja "Metamorfoza".
Megjithatë Gjykata Europiane e Drejtësisë rrëzoi pak ditë më parë përdorimin si provë në proceset gjyqësore penale, të bisedave të përfituara nga rrjetet e enkriptuara "Encrochat" dhe "SkyECC".
Ish prokurori Eugen Beci, ka sqaruar situatën e krijuar në vendin tonë. Ai shprehet se përgjimet nuk mund të shërbejnë si provë, por janë një indicie që të çojnë drejt provës.
I ftuar në studion e Breaking me Fiori Dardhën në Top News, ai tha:
“Nga autoritetet franceze ka ardhur vetëm një CD. Në bazë të frymës së këtij vendimi të Gjykatës Europiane të Drejtësisë, pavarësisht se në mënyrë të drejtpërdrejtë nuk ndikon në juridiksionin shqiptar, sepse ne nuk jemi vend anëtar i BE-së, por duke iu referuar marrëdhënieve nëpërmjet Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut, marrëdhënies, nëpërmjet konventës për ndihmë të ndërsjelltë reciproke, shteti shqiptar është i detyruar që autoriteti francez mos t’i kërkojë vetëm CD-në. Në rast se është vetëm CD-ja mund të themi që përgjigjja e pyetjes suaj është PO (komunikimet bëhen nul). Por në rast se prokuroria shqiptare i kërkon autoriteteve franceze dhe vendimin e gjykatës franceze që ka bërë të realizueshme përgjimin masiv të SKY encrochat, në rast se kemi një vendim gjyqësor, sigurisht që këto do të përdoren.
Por përsëri duhet të theksojmë, jo si provë, por si mjet për kërkimin e provës. Është abuzuar shpeshherë edhe nga gjykatat shqiptare: Mjet për kërkimin e provës është përgjimi, nuk është asgjë tjetër.
Por ky vendim, për më tepër zgjat si të thuash duart e tij edhe në procedura të tjera që Prokuroria e Posaçme shpesh herë i ka tepruar, duke tejkaluar në sulm ndaj të drejtave të njeriut.
Prokuroria e Posaçme duhet bëjë kujdes, duhet të kërkojë vendim gjyqësor për të sekuestruar telefonin, për të këqyrur një bisedë telefonike që është bërë në Whatsapp"
Sipas gazetares Aida Topalli këto aplikacione janë bërë me qëllim për të përgjuar personazhet e botës së krimit.
“Aplikacione të caktuara janë bërë për të tunduar personazhe të botës së krimit, apo personazhe, të cilët bëjnë trafik ndërkombëtar të lendeve narkotike të krijuara në njëfarë mënyre posaçërisht nga organet ligjzbatuese ndërkombëtare, duke mos patur mundësi për të përgjuar me metoda të tjera. Duke mos patur mundësi dhe burime njerëzore për të bërë përgjime të tjera me të infiltruar e me radhë, përdorin këto metoda, duke ju krijuar atyre bindje dhe besueshmëri se janë të pa dekriptueshme dhe të paprekura nga institucionet deri në momentin sa përfituan të dhëna të mjaftueshme për të shkatërruar disa nga grupet që operonin jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë në të gjithë botën”, tha ajo.
Ish prokurori Beci tha se Prokruroia e Posaçme është e detyruar t'i dërgojë një letërporosi gjykatës franceze të cilës duhet t'i kërkojë nëse këto përgjime janë të ligjshme. Por kjo kërkon kohë dhe sigurisht që është në kurriz të personave që janë arrestuar në baze të këtyre përgjimeve.
“Gjykata europiane e ka thënë shprehimisht: Vendimi i shpallur nga 30. 4 2024 i Gjykatës Europiane të Drejtësisë detyron gjykatësin penal të çdo shteti anëtar që të përjashtojnë përdorimin e transkriptove, nëse nuk është bërë transparente mënyra e mbledhjes së tyre. Është e qartë dhe kategorike. Pra edhe nëse shteti shqiptar nuk i ka siguruar këto komunikime në këtë mënyrë, pra nuk është zbatuar kjo procedurë, automatikisht komunikime bëhen nul.
Prokuroria e posaçme do të detyrohet të bëjë letërporosi shtesë autoriteteve franceze të drejtësisë. Prokuroria e Posaçme është nxituar në bazë të transkriptove, nga kjo CD të arrestojë 10 për “metamorfozën 7” dhe 7 për “metamorfozën 10”. Pasi doli vendimi i gjykatës europiane të drejtësisë, prokuroria e posaçme shikon që kjo CD e vetme nuk qëndron për këto indicie, dhe detyrohet dhe i kërkon me letër porosi autoriteteve gjyqësore franceze dhe i thotë, “më keni sjellë një CD me përgjime të SKY Encro Chatit, a keni vendim gjyqësor për këtë përgjim që keni bërë?A keni zgjatjet të vendimeve gjyqësore për shkak të përgjimeve që mund të kenë zgjatur në kohë dhe në rast se autoritetet franceze e sjellin, duke qenë se masa e sigurimit është një masë, e cila bazohet në dyshime të arsyeshme, sigurisht që ajo qëndron fuqi, por sjellja e vendimit nga autoritetet franceze me letërporosi në shtesë mund të bëjë prokuroria e posaçme kërkon kohë pa diskutim, por të paktën e bën procesin të rregullt ligjërisht në zbatimin e të drejtave të njeriut.
E gjitha kjo është në kurriz të atyre personave që janë të ndaluar sot.
Prandaj unë theksoj 2 momente: Përgjim i telekomunikacionit të jetë i ligjshëm që atyre personave tu justifikohet qëndrimi në burg dhe të trajtohet parimi bazë që përgjimi i telefonit nuk është provë për indicie për kërkimin e provës”, tha Beci.