
Aktivistët e flotiljes globale Sumud janë filmuar në portin izraelit të Ashdodit të gjunjëzuar, me duar të lidhura dhe të rrethuar nga agjentët e shërbimit të brendshëm Shin Bet, ndërsa ministri izraelit i Sigurisë, Itamar Ben Gvir, i përbuz ata në mënyrë publike.
Pamjet ngjallën polemika të shumta lidhur trajtimin e bërë pjesëmarrësve të misionit humanitar që u nis nga Turqia për në Gaza.
Mes 430 të ndaluarve janë edhe 29 italianë. Në një reagim të fortë, Kryeministrja Giorgia Meloni dhe kreu i diplomacisë Antonio Tajani e konsideruan “të papranueshme” mënyrën sesi janë trajtuar aktivistët nga Izraeli dhe pretendojnë prej këtij të fundit të kërkojë ndjesë për “mosrespektimin e kërkesave të qarta të qeverisë italiane”.
View this post on Instagram
Ministria e Jashtme ka thirrur ambasadorin izraelit për “shpjegime formale”. Sipas raportimeve paraprake, mes të ndaluarve është edhe shqiptari, Baki Goxhaj.
Aktivisti shqiptar Baki Goxhaj iu bashkua flotiljes ndërkombëtare “Global Sumud”, misionit humanitar që synonte të çonte ndihma drejt Gazës dhe të sfidonte bllokadën izraelite. Por anijet e flotiljes u ndaluan nga forcat izraelite në ujërat ndërkombëtare dhe qindra aktivistë nga dhjetëra vende të botës u shoqëruan drejt territorit izraelit.
Që prej atij momenti kanë kaluar pothuajse 48 orë dhe ende nuk ka informacion të qartë publik se ku ndodhet aktivisti shqiptar dhe në çfarë gjendjeje është.
Sipas raportimeve ndërkombëtare, mbi 400 aktivistë nga më shumë se 40 vende u ndaluan gjatë operacionit.
Organizatorët e flotiljes e quajtën ndërhyrjen “pirateri” dhe “rrëmbim në ujërat ndërkombëtare”, ndërsa Izraeli deklaroi se aktivistët do të transferoheshin në territorin izraelit dhe do të kishin akses konsullor.